Sot luhet Kosovë – Islandë, “Dardanët” të motivuar për fitore

Kombëtarja 20 Shkurt 2020 12:26

Kombëtarja e Kosovës në basketboll sot zhvillon njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit. “Dardanët” do të përballen me Islandën në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023.

Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja, në këtë përballje shumë të rëndësishme.

Pas stërvitjes të së mërkurës është mbajtur edhe konferenca për media ku drejtori i përfaqësueses, Granit Rugova, doli për rrjedhën e përgatitjeve.

“Basketbollistët janë shumë të motivuar për ndeshjen ndaj Islandës. Kemi pasur tri ditë intensive me stërvitje dhe jemi të gatshëm për ndeshjen e së enjtes. Besoj se edhe me ndihmën e Dardanëve dhe tifozëve do t’ia dalim në këtë takim përballë Islandës, që ka shumë lojtarë cilësorë, megjithatë lojtarët do të japin maksimumin në fushë”, ka thënë Rugova në konferencën për media.

Ai shtoi se, kanë disa mungesa si Lis Shoshi apo Alban Veseli, megjithatë, do të japin 100 % në fushë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ishte i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në stërvitje.

“Basketbollistët kanë dhënë gjithçka në stërvitje. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Është e rëndësishme që të gjithë të japin më të mirën nga vetja. Deri më tani jam shumë i kënaqur. Duam të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën në garat ndërkombëtare”, u shpreh Marmarinos.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, u ka bërë thirrje “Dardanëve”, që të jenë në numër sa më të madh, sepse është një motiv i madh për lojtarët në fushë.

“Motivi është i madh në ekipin tonë. Atmosfera është shumë e mirë. Kemi pasur stërvitje intensive në këto tri ditë. Shpresoj se, palestra do të jetë e mbushur me tifozë, sepse ky është një motiv për lojtarët në fushë. Ne duam të kemi rezultate sa më pozitive dhe me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalim”, nënvizoi Berisha.

Ndeshja Kosova-Islanda zhvillohet nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. “Dardanët” pas tri ditësh janë mysafirë të Luksemburgut, derisa pjesë e Grupit B është edhe Sllovakia.

-->