Spektakël e emocione, por pa fitues në derbin në “Emirates”

Futboll 01 Shtator 2019 19:25

Ka përfunduar një nga ndeshjet më interesante të këtij sezoni, ajo mes Arsenalit dhe Tottenhamit.

Derbi i Londrës Veriore përfundoi pa fitues, pasi u mbyll me rezultat të barabartë 2:2.

Mysafirët e nisën më mirë takimin duke shënuar me anë të Christian Eriksen (10’), para se Harry Kane (40’) të dyfishonte epërsinë nga pika e bardhë.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Alexandre Lacazette (45+2’) ngushtoi avantazhin, për t’i dhënë edhe më shumë motiv skuadrës së tij në 45 minutat e dyta.

Pikërisht në gjysmën e dytë ekipi i Unai Emery dominoi gjithçka, por fati ishte në anën e Spurs.

Krejt çka arriti të bënte Arsenali ishte të barazonte rezultatin me Aubameyang (71’), por e kishin të pamundur të shënonin golin e fitores në ndeshjen që ishte mjaft intensive.

Arsenali tani me 7 pikë mban pozitën e pestë, kurse Tottenhami është në vendin e nëntë me 5 sosh.