Spektakli vazhdon, Warriors nuk dorëzohen duke triumfuar ndaj Raptors

Basketboll 11 Qershor 2019 14:42

Fitore e madhe për kampionët në fuqi të NBA, që mbajnë gjallë shpresat për ta mbrojtur titullin.

Golden State Warriors kanë triumfuar me rezultatin 106-105 ndaj Toronto Raptors, duke ia pamundësuar kanadezëve të fitonin titullin kampion për herë të parë në histori pas ndeshjes së pestë.

Kevin Durant ishte në parket këtë herë, por luajti vetëm 12 minuta. 11 pikë të realizuara prej tij, ndërkohë që Warriors bënë një super paraqitje sidomos në çerekun e parë.

Ata shënuan gjashtë pikë më shumë, ndërkohë që çereku i dytë dhe i tretë u mbyllën në barazim. Në të fundit Raptors shënuan pesë pikë më shumë, të pamjaftueshme për ta përmbysur ndeshjen.

Warriors regjistruan një rekord, duke shënuar 20 herë për tre pikë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në një finale. Stephen Curry me 31 pikë dhe Klay Thompson me 26 pikë, ishin ata që udhëhoqën Warriors drejt triumfit, për ta ngushtuar njëherësh serinë në 3-2.

Takimi i radhës luhet në fushën e Warriors dhe në rast fitoreje të tyre, kampioni do të përcaktohet në ndeshjen e shtatë dhe të fundit që do të luhet në fushën e Raptors.