Sportistët të pakënaqur me kushtet në karantinë, kërkojnë vend më të sigurt

Sporte luftarake 19 Mars 2020 16:06

39 persona janë kthyer këtë të enjte në Kosovë në mënyrë të organizuar nga Stambolli, e të cilët janë vendosur në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.

Por aty dje është vendosur edhe ekipi Kombëtar i Boksit, i ardhur nga turneu në Londër.

Rreth kushteve higjienike në konviktet e vendosura ka folur edhe kryetar i klubit të boksit “Gollaku”, Besim Brahimi, i cili tha se higjiena këtu nuk është në nivelin e duhur.

Brahimi: Higjiena është pak keq këtu

“Higjiena është pak keq këtu. Ne sportistet jemi shumë mirë këtu, duhet neve me na e bë ndonjë analizë e jo me na lanë sikur huta këtu. I kanë pru edhe 50, 60 njerëz këtu, ne jemi sportistë që e përfaqësojmë shtetin, nuk duhet me na lënë këtu në kamp…Jo mirë, të them të drejtën… Dezinfektues jo, shampon për me i pas trua duart po, dezinfektues i kemi disa tonat”, tha ai.

Ai tha se sportistët janë vendosur në dhoma të vetme, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të pranojnë që të jenë më shumë persona në një dhomë.

Po ashtu, ai ka kërkuar që sportistët të lejohen të shkojnë në një vend tjetër të izoluar, por që mund t’i vazhdojnë stërvitjet.

Brahimi: Duhet të shkojmë të mbyllemi diku dhe t’i vazhdojmë stërvitjet tona

“Jemi vetëm nga një dhomë, po qysh ja kanë nis me pru këta njerëz, na shtinë me pas ngacmime edhe mes veti na këtu, se unë nuk e lejoj kërkon me e shti tek sportistët e mi. Jo, jo, le të na qojnë…Sportistët nuk bënë me i lënë këtu, duhet me shkua me u mbyll diku dhe me i vazhdua stërvitjet tona”, tha ai.

Edhe personat që u sollën nga Stambolli po ankohen se në konviktet të cilat janë vendosur mungojnë kushtet higjie nike dhe se nuk ka kushte elementare për të qëndruar aty.

Një person i cili është vendosur në këtë qendër por që nuk ka pranuar të flas para kamerës, ka thënë për KosovaPress se janë vendosur nga 2 e nga 3 persona në një dhomë, derisa personat e te dyja dhomave duhet te përdorin një banjë.

Ai po ashtu, ka bërë të ditur se personat e kthyer kanë zhvilluar edhe një protestë para konviktit si shenjë e pakënaqësisë me kushtet e ofruara aty.

Në pamjet që KP i ka siguruar shihet se si personat e vendosur detyrohen të ushqehen në korridoret e këtij konvikti, si dhe gjendjen e banjove në këtë konvikt.

Gjatë ditës së djeshme, në këtë konvikt janë vendosur edhe ekipi Kombëtar i Boksit, të cilët gjithashtu do të qëndrojnë për 14 ditë.

Rreth ankesave për kushtet higjienike ka reaguar Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku në një komunikatë të dërguar thuhet se me kohë i kanë marrë të gjitha masat për parandalimin e pandemisë së Coronavirusit Covid-19. Brenda një kohe të shkurtër dy herë është bërë dezinfektimi të gjitha hapësirave të kësaj qendre.

“Dhomat, banjat, korridoret, oborri dhe çdo hapësirë e Qendrës së Studentëve është e pastër dhe e sigurt. Siç e dini, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që kjo Qendër të shfrytëzohet si hapësirë karantine. I sigurojmë të gjithë qytetarët, që do të vendosen se kushtet janë të përshtatshme, i plotësojnë të gjitha standardet. Rasti i sotëm që është publikuar nga një persona publik, është vetëm një pakujdesi e vogël, që ka mundur të ndodhë nga koha e shkurtër që kemi pasur në dispozicion, është një rast i izoluar. Gjithçka tjetër është në rregull!”, thuhet në komunikatë.

Në Kosovë janë 20 raste të konfirmuara me Covid 19. Qeveria ka marrë vendim që të gjithë të kthyerit në Kosovë do të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

-->