Spyros Capralos zgjidhet president i Komitetit Olimpik të Evropës

Tokio2020 10 Qershor 2021 16:45

Spyros Capralos është zgjedhur president i ri i Komitetit Olimpik të Evropës, në Asamblenë e 50-të Gjenerale të KOE-së (EOC), që u mbajt në Athinë të Greqisë.

Capralos, që është edhe president i Komitetit Olimpik të Greqisë, mori 34 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, danezi, Niels Nygaard, kishte 16 sosh.

“Të udhëheqësh Komitetin Ekzekutiv dhe të gjitha Komitetet Olimpike të Evropës, është një privilegj i madh. Përkrahja juaj do të thotë shumë për mua, andaj jam shumë mirënjohës. Do të angazhohem, do të jem mendjehapur, transparent dhe një president i të gjitha vendeve”, tha Capralos në fjalën e tij.

Të pranishëm në Asamble ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, nënpresidenti Milaim Kelmendi dhe këshilltari i presidentit, Besim Aliti.

Menjëherë pas Asamblesë, drejtuesit e KOK-ut janë takuar me Capralosin, të cilin e kanë uruar për zgjedhjen e tij në krye të Lëvizjes Olimpike të Evropës, derisa presidenti i ri i KOE-së shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Gjatë këtyre dy ditëve, drejtuesit e KOK-ut, patën rastin të takohen edhe me homologë të shumtë të Komiteteve Olimpike Evropiane.

-->