Standarde të dyfishta, FFK përjashtoi futbollistin për një “tym duhani”, hesht për rastin e Muricit

Nations League 12 Tetor 2020 18:37

Federata e Futbollit të Kosovës kishte përjashtuar tashmë ish futbollistin e Kosovës, Oso Gjinovcin, për një fotografi me cigare, ndërkohë ende nuk ka bërë asnjë reagim për rastin e Aro Muricit, shkruan Insporti.

Tri ditë pas humbjes ndaj Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, Kosova humbi përsëri mbrëmjen e kaluar ndaj Sllovenisë, në takimin i cili u zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dardanët” janë duke kaluar fazën më të keqe nën drejtimin e Bernard Challandes, ku ende janë pa fitore në vitin 2020, duke humbur mundësinë e fundit për kualifikim në Kampionatin Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut.

Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar disa fotografi ku shihet portieri i parë i Kosovës, Arijanet Murici, në shoqërinë e një femre në hotelin ku qëndron Kosova gjatë grumbullimeve.

Lidhur me rastin e Aro Murict, ka reaguar edhe ish futbollisti i Kosovës në futsall, Oso Gjinovci, i cili ishte përjashtuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për një fotografi ku shihej duke pirë cigare.

Atëbotë, lojtari ishte penduar për veprimet e tij dhe në adresën e Insportit kishte dërguar një letër përmes të cilës kishte kërkuar falje për veprimin e tij dhe të bashkëlojtarëve.

Rasti i Aro Muricit, reagon Oso Gjinovci: FFK me përjashtoi shkaku i cigarës, të shohim si do ja bëjnë tani me portierin

Gjinovci në rrjetin social Facebook, ka akuzuar Federatën, konkretisht kryetarin Agim Ademi për të cilin thotë se nuk e kishte suspenduar dhe as dënuar por menjëherë e kishte përjashtuar nga Kombëtarja e Kosovës.

Teksti i pandryshuar i Gjinovcit:

“Kur m’patën fotografu me cigare në Aeroportin “Adem Jashari” para nisjës për Gjeorgji, në kualifikime me Kombëtarën e Futsallit të Kosovës u bo lajm n’krejt mediat e portalet tona. U kthym prej Gjeorgjisë edhe Federata e Futbollit të Kosovës në krye me Agim Ademin, nuk m’suspendoj, as nuk m’denoj, por direkt shkoj me përjashtim. U harrun t’mirat dhe hekat që i kalum bashk me shok me Kombëtarën e Kosovës, udhtimet, pritjet e gjata nëpër aeroportet e ndryshme të botës, shum njersë e derdhun,shum peripeti e shum sfida që i kalum bashk dhe në fund krejt shkun huq. Kisha pas qef me dit qysh don m’ja bo me lojtarin e Kombëtarës tonë në futboll të madh që u fotografu me alkool? A doni edhe ata me përjashtu edhe me ja qu njersën posht sikur mu. FORCA KOSOVA” – ka shkruar Gjinovci. /Insporti.com/

-->