Starti i Formula 1 ndoshta në Austri, anulohet dhe GP Francë

Formula 1 28 Prill 2020 09:14

Vendimi i presidentit Macron që ndaloi zhvillimin e evenimenteve më të rëndësishme në Francë deri në mes të muajit korrik, e bëri praktikisht fakt të kryer anulimin e garës së radhës në Botërorin e Formula 1 atë në pistën e Le Castellet në vendin Transalpin.

Tani erdhi edhe zyrtarizimi i lajmit që Çmimi i madh i Francës i parashikuar për t’u mbajtur në 28 qershor nuk do të zhvillohet këtë vit duke u bërë kështu ndalesa e 10 e Botërorit të Formula 1 që pezullohet për shkak të koronavirusit.

Lajmi u komunikua nga vetë organizatorët e kësaj gare dhe më konkretisht Drejtori i Përgjithshëm, Eric Boullier teksa shtoi se tani stafi i tij e ka projektuar punën drejt verës së vitit 2021.

Pas anulimit të kësaj gare, Shefi i Formula 1, Chase Carey konfirmoi se ideja është që ky kampionat të nisë me Çmimin e Madh të Austrisë më 3-5 korrik dhe shtoi se Formula 1 do të publikojë kalendarin e ri sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas tij në shtator, tetor dhe nëntor do të garohet në Euroazi, Azi dhe amerikë, ndërkohë që sezoni parashikohet të mbyllet në dhjetor me garat e Bahreinit dhe Abu Dhabit për të kompletuar një kampionat me 15-18 gara.

Ndërkaq, në Britani, në pistën e Silverstone po projektohet një garë pa praninë e tifozëve në tribunë gjë që u konfiremua nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj piste Stuart Pringle.

Ky i fundit theksoi se i vjen vërtet keq që kjo garë do të zhvillohet pa tifozë por duke parë situatën e krijuar dhe në bazë të kërkesave të qeverisë, ishte e pamundur zhvillimi i kësaj gare në kushte normal. /TCH

-->