Statistikat dhe faktet interesante për ndeshjen Uruguai – Rusi

Futboll 25 Qershor 2018 15:52

Me të përfunduar xhiro e dytë në fazën e grupeve në Kupën e Botës “Rusia 2018”, sot me fillim në ora 16:00 luhen takimet e treta, të cilat fillojnë me ndeshjet e grupit A.

Uruguai dhe Rusia veçse e kanë siguruar plasmanin në fazën e 1/8 së finales, kurse ndeshja në mes këtyre dy kombëtareve sot luhet për ta përcaktuar skuadrën e cila do marrë kreun e grupit A.

Për Uruguain, ky është Botërori i tretë rresht që e kalon fazën e grupeve, kurse Rusia pas 32 viteve e kalon grupin në një Botëror, derisa herën e fundit kur kanë kaluar në fazën e dytë, ishte në Kupën e Botës “Meksika 1986”, kur atëbotë Rusia njihej si Bashkimi Sovjetik.

Këto dy kombëtare janë takuar 8 herë, mirëpo vetëm një herë dhe atë në miqësore Uruguai është takuar me Rusinë që njihet sot, kurse 7 përballjet tjera ishin me Bashkimin Sovjetik.

Nga përballjet e deritashme, Rusia (Bashkimi Sovjetik), ka bilanc më pozitiv kundrejt Uruguait, me 6 fitore, kurse amerikano jugorët kanë vetëm një fitore dhe një ndeshje ka përfunduar me barazim.

Herën e parë kur Uruguai u takua me Bashkimin Sovjetik, ishte në një miqësore në Montevideo, kryeqytetin e Uruguait, të cilën ndeshje sovjetikët e fituan me rezultat 2-1.
Përballja e fundit, ishte po ashtu miqësore, e vitit 2012 në Moskë dhe përfundoi me barazim, çka është edhe barazimi i vetëm deri më tani i këtyre dy kombëtareve.

Ndeshja e sotme, do të jetë e treta që Uruguai dhe Rusia e zhvillojnë në Kupat e Botës, derisa e para ishte në Botërorin e vitit 1962 në Kili, pikërisht në fazën e grupeve, ndeshje e cila i ka takuar Bashkimit Sovjetik me rezultatin 2-1. Ndërsa, përballja e dytë u zhvillua në çerekfinale të Botërorit “Meksika 1970”, ku pas lojës shtesë amerikano jugorët triumfuan 1-0 dhe e siguruan gjysmëfinalen.

Uruguai asnjëherë nuk ka arritur që t’i fitoj të tri ndeshjet në fazën e grupeve, derisa Rusia ose respektivisht Bashkimi Sovjetik, në vitin 1966 në Botërorin e mbajtur në Angli, e kishte kaluar grupin me tri fitore duke e mposhtur Korenë e Veriut, Italinë dhe Kilin.

Që nga viti 1966 kur e mposhtën Kilin, Rusia (Bashkimi Sovjetik) në Kupat e Botës, është mposhtur në katër përballje rresht me kombëtaret nga Amerika Jugore, përshirë humbjen nga Uruguai më 1970, dy humbjet ndaj Brazilit (1982 dhe 1994) dhe disfata nga Argjentina më 1990.

Uruguai deri më tani në Kampionatet Botërore është përballur katër herë me kombëtaret nikoqire dhe ndeshja sot kundër Rusisë, është hera e pestë. Paraprakisht në vitin 1950 fitoi 2-1 ndaj Brazilit, më 1966 barazoi 0-0 me Anglinë, shënoi fitore 2-0 kundër Italisë më 1990 dhe në Botërorin e vitit 2010, e mposhti Afrikën e Jugut me rezultatin 3-0.

Dyshja e rusëve, Denis Cheryshev dhe Artem Dzyuba, ishin golashënues në dy ndeshjet e para të Rusisë kundër Arabisë Saudite dhe Egjiptit, kurse në të kaluarën vetëm dy futbollistë rus kanë arritur që në tri ndeshjet e fazës së grupeve të shënojnë gol. Valentin Ivanov në vitin 1962 dhe Valeriy Porkuyan më 1966.

Paraqitja e sotme në portën e Uruguait nga Fernando Muslera, shënon ndeshjen e tij të 14 në Kupat e Botës, duke e kaluar Ladislao Mazurkiewicz dhe 13 paraqitjet e tij, dhe kështu bëhet lojtari me më së shumti paraqitje për Uruguain, në histori të Botërorit.

Luis Suarez me golin që e shënoi kundër Arabisë Saudite, bëhet futbollisti i parë nga Uruguai i cili shënon në tri Kampionate Botërore. /Insporti.com

-->