Suarezi flet para ndeshjes me Liverpoolin, e përmend Shaqirin

Futboll 06 Maj 2019 20:31

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka thënë se skuadra e tij duhet të ketë kujdes nga Liverpooli edhe pse sulmuesi Mohamed Salah nuk do të paraqitet në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve të martën në Anfield.

Barça mposhti Liverpoolin 3:0 në gjysmëfinalen e parë, por Suarez ka deklaruar se ish-skuadra e tij ka lojtarë me kualitet të lartë që mund të zëvendësojnë lehtë superyllin Salah që mungon për shkak të lëndimit.

Këtu ka përmendur edhe yllin shqiptar Xherdan Shaqiri, që së fundmi ka pak minutazh në skuadrën e Jurgen Kloppit.

“Ai [Salah] është lojtar shumë i rëndësishëm, në top-tre të botës në vjetët e fundit. Është mungesë e madhe, por kanë lojtarë si Origi, Shaqiri, Sturridge që mund të luajnë. Lojtarë kualitativë”, ka thënë Suarez.

Pos Salahut, Liverpoolit do t’i mungojë edhe Roberto Firmino, ndërsa në dyshim është edhe qendërmbrojtësi Virgil Van Dijk.

Suarez ka thënë se më s’do të festojë golat ndaj ish-skuadrës, pas reagimit të tifozëve në ndeshjen e parë.

“Njerëzit që dinë për futbollin e dinë rëndësinë e golit që e shënova në gjysmëfinalen e parë. Kam respekt për tifozët e Liverpoolit. Pasi shënova dhe festova kërkoj falje. Jam falënderues për Liverpoolin, fansat dhe klubin. Është e qartë që nëse shënoj në Anfield nuk do të festoj”, ka shtuar ai në konferencë për media.