Suedi – Kosovë, për vetëm tri orë shiten mbi 20 mijë bileta

Kombëtarja 17 Shtator 2021 14:59

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshjen e parë në muajin tetor në udhëtim te Suedia.

“Dardanët” do të jenë mysafirë të skandinavëve në ndeshjen që pritet të zhvillohet më 9 tetor.

E tanimë biletat kanë dalë në shitje për këtë takim dhe janë shitur gjysma e tyre për një kohë rekord.

Ka qenë Federata e Futbollit të Suedisë që ka njoftuar se vetëm për tri orë janë shitur 21,834 bileta.

Ndeshja mes Suedisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Friends Arena në Stockholm, stadium që ka kapacitet prej 54,329 personave.

Gjithsesi për vetëm tri orë tanimë janë shitur thuajse gjysma e biletave, ku besohet se një numër i madh që kanë blerë bileta janë tifozë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi.

-->