Suhareka nikoqir i Final 8 të Kupës së Kosovës në basketboll

Basketboll 06 Shkurt 2018 12:56

Konferenca e paralajmëruar në mes FBK-së dhe KB Golden Eagle Ylli lidhur me organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës në Basketboll, u mbajt sot dhe u konfirmua zyrtarisht që KB Golden Eagle Ylli ka plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj ngjarje.

Organizatorët premtuan shikueshmëri dhe thanë se spektakli nuk do të mungoj, pasi nga ana e tyre janë duke u marrë të gjitha masat që ky eveniment të jetë sa më madhështor.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 28 shkurt deri më 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Më 28 shkurt do të luhen dy ndeshje çerekfinale, Rahoveci-Kerasan Prishtina dhe Golden Eagle Ylli-Borea, kurse më 1 mars në program janë dy takimet tjera çerekfinale, Sigal Prishtina – Kalaja dhe Bashkimi – Trepça. Më 2 mars do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, kurse më 4 mars finalet në të dyja konkurrencat. Ceremonia hapëse e Final 8 të Kupës së Kosovës do të bëhet të mërkurën.

Në konferencën e radhës që do të organizohet nga KB Golden Eagle Ylli pak ditë para fillimit të Final 8, të pranishëm do të jenë përfaqësuesit e klubit, të FBK-së, si dhe kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse. Gjithashtu këtë ditë do të akreditohen edhe mediat që do ta përcjellin këtë ngjarje. /Insporti.com

-->