Supergoli i Benzemas ia dhuron tri pikë Realit

Futboll 31 Mars 2019 22:41

Real Madridi është kthyer nga disavantazhi për të rezultuar triumfues (3-2) përballë Huescas, në ndeshjen e javës së 29-të në La Liga që u zhvillua në Santiago Bernabeu.

Me të filluar ndeshja, skuadra mysafire arriti të realizonte me anë të Cucho (3′), i cili u asistua nga Ezequiel Avila.

Rezultati u barazua falë insistimit nga Karim Benzema, pas goditjes të të cilit, Brahim Diaz e ktheu topin në zonë dhe aty ishte Isco për ta futur në rrjetë (25′).

Shanset nuk munguan dhe vendasit arritën ta përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë. Një harkim nga Gareth Bale e priti Benzema me kokë dhe asistoi për Daniel Ceballos, i cili nuk gaboi (62′).

‘Mbretërit’ patën disa raste për ta ngritur epërsinë, sidomos përmes Bale, mirëpo nuk i shfrytëzuan ato, ashtu që u ndëshkuan. Xabier Etxeita e barazoi rezultatin (74′).

Dhe për ta mbyllur këtë përballje duke i dhuruar fitoren ‘Los Blancos’, Karim Benzema shënoi një gol fantastik (90′), për 3:2.

Reali pas kësaj fitoreje ka 57 pikë dhe renditet në pozitën e tretë pas 29 xhirove, dhe ka dy pikë më pak se Atletico e vendit të dytë, dhe 12 më pak se sa lideri Barcelona.