Superiorja nis fazën finale, sot zhvillohet super derbi në kryeqytet

Futboll 07 Qershor 2020 11:37

Sot do të startojë faza e katërt dhe e fundit e kampionatit. Ndeshjet do të luhen të gjithë në një orar, ndërsa spikat sfida mes Partizanit dhe Kukësit në kryeqytet.

Të kuqtë kanë nevojë për pikë duke qenë se kanë komplikuar objektivin për të marrë pjesën në Kupat e Europës pas disfatës së javës së kaluar ndaj Skënderbeut.

Por, edhe nga krahu tjetër nuk lejohet rezultat tjetër veç fitores duke qenë se Kukësi është në ndjekje të Tiranës kryesuese. Bardheblutë sot luajnë sërish në transfertë teksa përballen me Luftëtarin.

Kryeqytetasit duhet të shmangin hapat fals për të vazhduar me hapat e sigurt drejt titullit. Sakaq, Bylisi pret në shtëpi Teutën.

Ballshiotët vazhduan trendin negative të këtij sezoni edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Tiranës, e tashmë janë në zonën e “play out”, ndaj tre pikët janë jetike. Megjithatë, pritet një sfidë mjaft e ndezur pasi triumfi është objektiv edhe për Teutën që lufton për tre vendet e para. Ndërkaq, dy ndeshjet e tjera të Superiores janë Laçi me Vllazninë, ndërsa Flamurtari pret Skënderbeun me vlonjatët që në rast se mposhten prejnë matematikisht biletën e rënies një kategori më poshtë.

Orari

17:00 Partizani-Kukësi

17:00 Luftëtari-Tirana

17:00 Bylis-Teuta

17:00 Laçi-Vllaznia

17:00 Flamurtari-Skënderbeu

-->