Superliga në pushim, gjyqtari Dylot Brahimi angazhohet ta mbështes PDK-në në zgjedhje

Futboll 16 Janar 2021 14:01

Superliga e Kosovës në futboll është në pushim dimëror, por gjyqtari Dylot Brahimi ka zgjedhur të merret me politikë, në kohë kur vendi ndodhet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, shkruan Insporti.

Dylot Brahimi, gjyqtar i Ligës së Parë të Kosovës në futboll, ka gjetur një formë tjetër të angazhimit në kohë kur futbolli vendor gjendet në pushim dimëror.

Ai përmes llogarisë personale në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë një postim të u.d të kryetarit të PDK-së, z. Enver Hoxhaj, njëherit edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, ku ai i bën thirrje ish kryeministrit z.Albin Kurti, që të ballafaqohet në debat.

No description available.

Ditë më parë, Brahimi, shpërndau një postimi tjetër, këtë radhë nga faqja “Mbështetësit e PDK-së”, ku analistja politike, Luljeta Aliu, cilësohet si mbështetëse e VV-së dhe si “barazuese e popullit të Kosovës me serbët e Kralevës”.

No description available.

Dylot Ibrahimi, i cili është i biri i Vehbi Brahimi “Lepri”, vëzhgues i gjyqtarëve, ka debutuar këtë sezon në Ligën e Parë.

Debutimi i tij në futbollin vendor, u përcoll me dyshime për nepotizëm, pasi përveç tij, debutuan edhe Lirim Jashari, nipi i Bekim Haxhiut, deputet i PDK-së dhe ish nënkryetar i FFK-së në kohë e presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, Valbon Hoxha – i biri i Malazog Hoxhës, kryetar i Lidhjës Rajonale të Gjilanit, Mentor Ajeti, i biri i Ali Ajeti, delegat dhe anëtar i Këshillit të FFK-së, vëllai i Alisë, Ismajl Ajeti, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-sëVigan Ibërdemaj, i biri i Haxhi Ibërdemaj – kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Pejës.

Ky nuk është rasti i parë që gjyqtarët e futbollit të Kosovës, harrojnë bilbilin dhe merren me politikë.

Në mars të vitit të kaluar, Insporti kishte raportuar për shkrimet e gjyqtarit  Qëndrim Vata, i cili kishte krahasuar ish kryeministrin Albin Kurti me diktatorin korean, Kim Jong Un.

Qëndrim Vata, përkrahës poashtu i Partisë Demokratike të Kosovës, ishte suspenduar nga Komisioni i Gjyqtarëve të Kosovës për postimin denigrues me motive politike.

Ndonëse ligjërisht e lejuar, përfshirja e gjyqtarëve të futbollit vendor në çështje politike shihet si problematike, duke qenë se tejkalon suazat e sportit dhe ngrit pikëpyetje mbi profesionalizmin e tyre./Insporti.com/





-->