Takimi i Vokrrit me Petkoviç, hap mundësinë e bashkëpunimit me klubet serbe

Futboll 24 Prill 2018 13:43

Sot presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, në zyrën e tij priti kryetarin e komunës së Parteshit, Dragan Petkoviç, të cilin  e njoftoi për zhvillimin e futbollit në Kosovë, e në veçanti për angazhimin e tij dhe të FFK-së për përfshirjen e komuniteteve, veçmas atij serb, në futbollin e Kosovës.

“Deri me tani veç disa klubeve serbe, në futbollin e Kosovës kemi shumë futbollistë dhe një gjyqtarë të komunitetit serb. Unë besoj shumë se tashmë është krijuar një klimë e mirëbesimit dhe kushte jashtëzakonisht të mira, që të ketë sa më shumë klube të komunitetit serb dhe ne si federatë do të ju ofrojmë mbështetje”, tha Vokrri.

Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, ka kërkuar nga kryetari Petkoviç, që jo vetëm ai por edhe zyrtarë tjerë të angazhohen në inkuadrimin e klubeve serbe në futbollin e Kosovës, si opsioni më i mirë për të ardhmen e tyre.

Kurse, kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkoviç, duke falënderuar presidentin Vokrri për këtë pritje, tha se është fat i mirë që në krye të futbollit të Kosovës është një figurë kaq e njohur për futbollin, jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë, pasi që kjo ju jep shpresë të besojnë se komuniteti dhe të rinjtë serb mund të kenë besim për një trajtim të njëjtë me të tjerët.

“Do të punojmë dhe do të angazhohemi ne si komunë e re, që ta themelojmë një klub ku do të kishin aktivitetin e tyre talentët e rinj të futbollit nga komuniteti jonë”, tha ndër të tjera kryetari i Parteshit, Dragan Petkoviç. /Insporti.com

-->