Të premten FBK hedh shortin, vendoset afati për KB Pejën

Superliga 09 Shtator 2019 12:57

Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se ditën e premte do të hedhet shorti për sezonin e ri 2019 – 2020, raporton Insporti.com.

Edicioni i ri i Kosovës në basketboll do të fillojë me Superkupën e Kosovës, që zhvillohet në Rahovec, më 24 shtator, derisa java e parë e Superligës do të zhvillohet më 28/29 shtator

Pjesë e edicionit të ri është duke dëshiruar të jetë edhe klubi i madh nga qyteti i Pejës, KB Peja.

Insporti kishte raportuar se ditëve të fundit është intensifikuar dukshëm komunikimi ndërmjet Pejës dhe FBK-së dhe palët po kërkojnë një zgjidhje optimale për kthimin në gara të këtij klubi.

“Si rrjedhojë, duke pasur parasysh interesin e basketbollit për të kthyer basketbollin elitar në Pejë, kam kërkuar nga Sekretarja që të përgatisë draft-vendimin për inkuadrimin e KB Peja në Superligë të cilin do ta dërgojmë sot. Vendimi do të jetë i kushtëzuar me arritjen e marrëveshjeve me të gjithë lojtarët dhe me heqjen e ndalesave të regjistrimit të lojtarëve të rinj nga FIBA dhe regjistrimit te tyre pranë FBK deri në fund të afatit kalimtar. Në rast të tillë, KB Peja do të përfshihet në shortin e datës 13 shtator, ndërsa në të kundërtën shorti dhe garat do të zhvillohen me ekipet të cilat e kanë fituar statusin e Superligës vitin e kaluar dhe KB Peja do ta humbë rastin”, thuhet në një letër që kryetari i FBK, Arben Fetahu, iu ka dërguar anëtarëve të bordit, një kopje të së cilës e ka siguruar Insporti.

Kujtojmë se KB Peja, për shkak të borxheve gjashtë shifrore ndaj lojtarëve, por edhe borxheve ndaj FBK-së e FIBA-s, kishte humbur të drejtën e pjesëmarrjes në gara.

Insporti duke parafrazuar aktet e FBK-së raporton se KB Peja, nëse nuk garon këtë sezon, e humb anëtarësinë në FBK tërësisht.