Tensione në fushë, ylli i Vëllaznimit humb kontrollin

Futboll 10 Shkurt 2019 14:00

Nga një minutë heshtje që nuk u respektua, një gol i anuluar dhe tani, tensione në fushë mes lojtarëve, ndeshja Vëllaznimi-Drita i pati të gjitha në pjesën e parë, shkruan Insporti.

Përballja, e cila po luhet në kuadër të çerek-finales së Kupës së Kosovës, na ka dhuruar disa momente për t’u diskutuar deri tani.

Një prej tyre ishte edhe momenti i minutës së 33-të, kur Agron Beqiri ndërhyri në Kyrian Nwabuezen, duke e detyruar gjyqtarin ta ndëshkojë me karton të verdhë.

Lojtarët e Vëllaznimit nuk e pritën mirë këtë vendim dhe reaguan duke protestuar, derisa Samir Sahiti u përfshi në një fërkim me gjyqtarin dhe lojtarët e Dritës.

Sahiti u desh të mbahej nga të tjerët, pasi po i vërsulej gjyqtarit Alban Shala dhe njërit prej futbollistëve të Dritës.

Çuditërisht, ish-ylli i Trepçës 89 i shpëtoi ndëshkimit dhe ndeshja vazhdoi.

Shikoni incidentin në videon e mëposhtme. /Insporti.com/

-->