Tensione në mes të Arbnor Morinës dhe Debatik Currit pas ndeshjes Prishtina – Arbëria

Futboll 04 Nëntor 2020 17:10

Prishtina mposhti KF Arbërinë me rezultat minimal 1:0 me golin e mesfushorit sulmues, Enis Gavazaj, i cili u tregua i saktë nga penalltia. Pas përfundimit të ndeshjes, zyrtarët e Arbërisë kërkuan llogari nga treshja e gjyqtarëve të ndeshjes, Shpëtim Murtezi (kryesori), Alban Ejupi (Asistent), Imran Kabashi (Asistent), raporton Insporti.com.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina kërkoi llogari për vendimet e gjyqtarit Murtezi, por hasi në rezistencë nga ndihmës trajneri i Prishtinës, Debatik Curri.

Curri kërkoi nga Morina që të largohet nga fusha dhe të mos ankohet për vendimet e gjyqtarit, kërkesë e cila e revoltoi trajnerin Morina.

Morina iu drejtua Currit se e di për të gjithë çfarë bëjnë në klubin e Prishtinës dhe e ofendoi duke e sharë.

Kundërpërgjigja e Currit ishte se ka të drejtë fjale pasi është në “vendin e tij”.

Morina u qetësua disi nga zyrtari i Prishtinës, Kushtrim Sopa, ky i fundit arriti ta largonte nga fusha Morinën në drejtim të zhveshtoreve.

Mysafirët nga Lipjani gjatë gjithë ndeshjes kanë qenë të pa kënaqur me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Murtezi.

Pas tri humbjeve, Prishtina arriti fitoren dhe renditet në pozitën e pestë me 14 pikë, ndërsa Arbëria në pozitën e tetë me 11 pikë. /Insporti.com/

https://www.facebook.com/insporti/videos/274077754001180

-->