Tentimi i Sokolit për të ofenduar gazetarët sportivë

Kombëtarja 01 Qershor 2020 11:13

Mbrëmë në emisionin “Dueli Sportiv” që transmetohet në Radio Televizionin Dukagjini, ndër shumë tema që janë diskutuar ka qenë edhe reagimi i reprezentuesit të Kosovës, Arbër Zenelit ndaj një ankete që është bërë në rrjete sociale, se a është më i mirë Milot Rashica apo Arbër Zeneli. Në këtë çështje trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli, i cili tashmë është bërë panelist i përhershëm i emisionit tentoi të ofendonte gazetarët sportiv, duke deklaruar se këto gjëra bëhen me qëllim për të shkaktuar dëme, shkruan Insporti.com.

Sokoli, në stilin e tij të “profës” tentoi të mbante një ligjëratë se sa ka ndikuar kjo anketë në skuadrën e Kosovës, duke parë reagimin e Zenelit në rrjetin e tij social “Instagram”.

Zeneli ka kërkuar që mos të bëhen ky lloj i anketave, pasi të gjithë lojtarët e Kosovës janë të mirë. “Asnjë Kombëtare nuk i krahason lojtarët cili është më i mirë ose më i dobët, në Kosovë po ndodh. Ju lutem mos bëni krahasime, nuk është e nevojshme. E tërë Kombëtarja janë të mirë, as njëri e as tjetri nuk mund ta luajnë lojën pa njëri-tjetrin”.

Moderatori i emisionit, Dukagjin Rudari fillimisht fjalën ia kaloi komentatores, Qëndresa Krelani “Qeqa” por që nuk e lejoi të flasë Sokoli, i cili mori bajrakun për të folur i pari rreth kësaj teme.

Ish trajneri i shumë klubeve të Kosovës, deklaroi se gazetarët bëjnë me qëllim shkrime apo anketa për të dëmtuar personalitete të ndryshme sportive.

 “Reagimi i Arbër Zenelit është shumë në nivel dhe kjo çfarë i bëhet lojtarëve të Kosovës është dëm shumë i madh që shkaktohet, cilat portale, kush ka bërë këtë pyetje, këtë ndarje, është shumë e dëmshme mund me qenë e pa qëllimshme, unë mendoj se është e qëllimshme, por nuk guxojmë kështu me fut përçarje në ekipin e Kosovës. Kjo është dëm i madh që i shkaktohet relacioneve brenda, prandaj reagimi i Zenelit është shumë i pjekur dhe për këtë duhet të reagojmë gjithë na në sport, edhe pedagogët sportiv, televizionet, radiot, kjo çfarë i është bërë ekipit është dëm i madh, duke bërë rivalitet pa pasur nevojë. Prandaj përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes do ta ketë shumë problem, sepse është krijuar një shtresë se kush është kë e përkrahë, e kush kë e mbështet. Nuk duhet të bëhen kësi krahasime, mund të bëhen Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, por me lojtarët e Kosovës”.

Megjithatë, në mbrojtje të gazetarëve dolën trajneri Ismet Munishi dhe ish reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri, i cili aktualisht është pjesë e shtabit teknik të Prishtinës.

This image has an empty alt attribute; its file name is Screenshot_2.jpg

Curri deklaroi se është e drejtë e gazetarëve të marrin mendime të ndryshme përmes komenteve të njerëzve dhe se nuk e sheh si problem të madh këtë anketë.  “Nuk ka arsye aspak për të ndikuar në grup. Siç tha edhe Arsimi, kjo nuk është për t’u marr shumë seriozisht këtë që e ka shkruar një portal, këtë që e ka krahasuar me Rashicën, tash edhe portali ka të drejt që i krahason, ndonjë gazetar ka dëshirë me marr mendime të ndryshme prej komenteve të njerëzve, se kush është më i mirë Arbër Zeneli apo Milot Rashica. Edhe ne e kemi atë shijen personale, dikujt i pëlqen Ronaldo dhe Messi. Reagimi i Zenelit mund me qenë i dëshpëruar, nuk po them që nuk është i dëshpëruar, unë nuk e njoh karakterin e lojtarit (Zenelit). Live nuk e kam takuar asnjëherë, nuk e di si karakter por si lojtar është i shumë i mirë, i cili na ka munguar në ndeshjet  e fundit dhe jemi shumë të gëzuar që është kthyer pasi do të na ndihmojë shumë në ndeshjet e ardhshme, e sidomos me Maqedoninë e Veriut. Por, nuk e shoh që do të ketë problem për të ardhmen. Për këtë arsye caktohet një trajner, për ashtu nuk e kishim caktuar trajnerin hiq, kishim thanë hajde ti Arbër, Rashica por është trajneri cili mendon që i kryen shërbim, ndoshta mua më pëlqen më shumë Rashica, por trajnerit i kryen punë më shumë Arbër Zeneli. Unë nuk e shoh shumë të arsyeshme shumë Zeneli por është e drejtë e tij”.

Ndërsa, Munishi si gjithnjë karizmatik me deklaratat e tij bëri të ditur se i përdor mediet për marketing personal, ashtu siç mediet e përdorin për të prodhuar lajme.

Trajneri i Ballkanit po ashtu gjatë mbrojtjes së gazetarëve, e argumentoi se gazetarët gjatë kohës së pandemisë dhe kohës kur nuk ka ngjare, e kanë të vështirë për të prodhuar lajme.

Në fund, ai deklaroi se Rashica nuk do ta kishte problem ta mposhtë edhe Ronaldon në ndonjë anketë, pasi do të votohej nga i gjithë qyteti i Vushtrrisë. “Unë nuk e di kush e ka publikuar, por te na edhe në kohën e pandemisë , edhe kur nuk ka ngjarje është vështirë edhe me prodhuar lajme. Publiku është ai që voton, unë nuk e shoh shumë tragjike nëse voton dikush për atë. Këtu për shembull paska fituar Rashica, pasi krejt Vushtrria e ka votuar se edhe me dalë me Messi, Rashica e mposhtë, për shkak se ka më shumë tifozë. Edhe me Ronaldon qiteni, e mposhtë sepse Vushtrria e ka idol. Pasi po flasim këtu, paska qenë interesante me bë një lajm të tillë. Ose unë dhe “Qeqa” sulmohemi prej medieve, na shtrembërojnë deklaratat. Unë i përdori mediet për marketing, për marketing të futbollistëve, mirëpo edhe mediet kur fillojnë “zi e terr”, unë e presë pasi më përdorin mua dhe është shumë normale”.

Por, ky lloj anketimi bëhet në gjithë botën. Një shembull i thjeshtë është anketa e krijuar nga portali “GiveMeSport”, për të vendosur se kush është më i mirë Marcus Rashford apo Raheem Sterling, të cilët janë yjet e Kombëtares së Anglisë.

Pra, një gjë e tillë nuk bëhet për të dëmtuar futbollistët apo trajnerët, por të shuar kureshtjen e tifozëve apo për ta ditur mbështetjen e tifozëve ndaj një futbollisti të caktuar. /Insporti.com/

-->