“Tërmet” te Barcelona, mbledhje urgjente me tone të larta, shkak bëhet Messi

Futboll 30 Qershor 2020 22:05

Në një prej pushimeve të ndeshjes Celta Vigo – Barcelona, Eder Sarabia (ndihmësi i Setien) donte që të komentonte me Leo Mesin një rast të ndeshjes.

Por, në atë moment, kapiteni i katalanasve i kthen shpinën dhe nuk e dëgjon. Sarabia mendoi që ishte thjesht keqkuptim dhe vendosi të dilte nga ana tjetër për të komunikuar me argjentinasin, por numri 10 vazhdoi sërish të pinte ujë dhe nuk i kushtoi asnjë rëndësi.

E injoroi përpara syve të Kike Setienit, i cili e pa më shumë sesa serioz të gjithë këtë situatë.

Ishte një skenë e qartë që dëshmonte nervozizëm dhe tregon se raporti mes stafit teknik dhe futbollistëve është i ftohtë dhe i krisur.

Nga pamjet kuptohet qartë që edhe Luis Suarez i drejtohet me nerva trajnerit Sarabia. Pas ndeshjes me Celtën, pati një takim me tone të larta mes skuadrës dhe stafit teknik. Nuk është hera e parë që Eder Sarabia bëhet protagonist në ekipin katalanas, pasi edhe gjatë “El Clasico”-s bëri disa komente gjatë ndeshjes, të cilat nuk i pëlqyen aspak skuadrës.

TAKIM TË DIELËN – Një takim më i ashpër dhe me tone të ngritura ka ndodhur ditën e diel përpara nisjes së stërvitjes së Barcelonës. Lajmin e bën të ditur programi “Que T’hi Jugues”.

Në këtë mbledhje futbollistët janë treguar të hapur dhe e kanë thënë mendimin e tyre për zëvendëstrajnerin Eder Sarabia. Ata i kanë thënë trajnerit Setien që nuk u pëlqen mënyra se si reagon dhe si flet në pankinë, prandaj do të ishte mirë që nga tani deri në fundin e sezonit të ishte vetë Setien protagonist dhe të merrej ai me gjithçka në skuadër.

Lojtarët duan që të kenë raport të drejtpërdrejtë me Kike Setienin dhe jo me Eder Sarabian, ashtu siç kishin me Ernesto Valverden.

-->