Testet në Malajzi, dominon dyshja e Yamahas

Moto GP 29 Janar 2018 16:07

Maverick Vinales mundi shokun e tij te ekipi Yamaha, Valentino Rossi, duke fiksuar njëkohësisht edhe kohën më të shpejtë, në ditën e dytë të testeve të Moto GP, që po mbahen aktualisht në Malajzi. Në pistën e Sepangut shkëlqeu pikërisht dyshja e Yamaha-s zyrtare, por sidoqoftë për një orë nuk u garua aspak dhe pilotët qëndruan pranë skuadrave respektive, në pritje të përmirësimit të kushteve të pistës dhe tharjes së cirkuitit, për shkak të reshjeve të shiut, që kishin rënë gjatë natës.

38-vjeçari italian, që është ende duke rikuperuar nga dëmtimi i rëndë që pësoi sezonin e kaluar, regjistroi shpejt kohën 1’59″390, duke ulur me 0,037″ kohën më të shpejtë të ditës së parë, të fiksuar nga Dani Pedrosa. Në fakt koha e Doktorit rezistoi deri 11′ para fundit, sepse ishte pikërisht kolegu i tij Maverick Vinales, që e uli kohën më të shpejtë edhe me 0,035″.

Vinales qëndroi në pistë për 68 xhiro, ndërsa veterani italian për vetëm 39, natyrisht për të ruajtur energjitë, pasi ditët e para të provave pas pushimeve të dimrit, në raste të tilla janë vërtet shumë të lodhshme. Gjithsesi Rossi është shfaqur tepër i kënaqur me këto teste, aq sa për të deklaruar që Yamaha është që tani më mirë sesa në vitin 2017, ndërsa Vinales në krahun tjetër, shtoi se ka shenja të qarta përmirësimi edhe në lidhje me administrimin e gomave, pasi siç dihet, sezonin e kaluar Yamaha vuajti shumë konsumimin e gomës së prapme.

Dita e dytë ishte një ditë shumë e mirë gjithashtu edhe për pilotin britanik Cal Crutchlow, që garon me Hondën e Lucio Cecchinello-s. 32-vjeçari nga Coventry e mbylli ditën në vendin e tretë, me kohën 1’59″443, duke lënë pas Jorge Lorenzo-n me Ducati për 0,055″, ndërkaq i 5-ti për vetëm 0,011″ u pozicionua piloti tjetër i Ducati-t, australiani Jack Miller.

I 6-i u klasifikua piloti i skuadrës Yamaha Tech 3, Johan Zarco, ndërsa kampioni në fuqi Marc Marquez, ashtu si edhe në provat e ditës së parë, u rendit në vendin e 7. Në vazhdim u renditën dy pilotë që konkurrojnë me Ducati, si nënkampioni i botës Andrea Dovizioso e Danilo Petrucci, ndërsa 10-shen e parë e kompletoi Andrea Iannonen me Suzuki.

Pikërisht motori i 28-vjeçarit abrucez shpërtheu në flakë në fillim të sesionit të provave, ndërkaq testet u ndërprenë për 10′ për shkak të rrëzimit të spanjollit Pol Espargaro në kthesën numër 4, që ndonëse qëndroi në pistë për vetëm 23 xhiro u pozicionua i 14, dy vende më lart se shoku i tij te ekipi KTM Bradley Smith, ndërkaq vëllai tjetër Aleix Espargaro me Aprilia-n e tij u klasifikua në vendin e 11.

Kurioz është fakti që i vetmi pilot që nuk ia doli dot mbanë për të përmirësuar kohën e një dite më parë ishte Dani Pedrosa. 32-vjeçari katalanas ishte piloti i fundit që u rendit poshtë 2′, sidoqoftë duke i marrë të dy ditët bashkë koha e Pedrozës gjithsesi rezistoi në vendin e tretë, megjithëse vlen të theksohet se si Marquez ashtu edhe Pedrosa më shumë sesa për kohën menduan për testimet në aspektin aerodinamik.

-->