Testet përgatitore, dominon Ricciardo me Red Bullin

Formula 1 26 Shkurt 2018 20:28

Piloti i skuadrës së Red Bull, Daniel Ricciardo regjistroi kohën më të shpejtë të ditës së parë, përsa i përket testeve përgatitore të Barcelonës, në prag të sezonit të ri të Formula 1, që starton pas 4 javësh në Australi, me Çmimin e Madh të Melburnit.

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e shiut në fund të sesionit të pasdites, i bënë pak të dobishme provat e dyta, kështu që në fund të ditës, në pistën e Montmelos rezistuan dhe mbetën të pandryshuara pikërisht 4 kohët më të mira të sesionit të paradites.

Kështu piloti australian i ekipit Red Bull regjistroi kohën 1’20″179, duke lënë në vendin e dytë për 0,170″ pilotin e ekipit Mercedes, Valtteri Bottas. Të dy këta pilotë përdorën goma të mesme, gjithsesi Ricciardo ishte piloti që qëndroi më shumë në pistë, teksa testoi njëvendëshen e tij për plot 105 xhiro, pothuajse dyfishin e kohës krahasuar me pilotin finlandez, që provoi makinën e tij për vetëm 58 xhiro gjithsej.

Në Katalunjë drejtuesit e Ferrarit vendosën që ditën hapëse të këtyre testeve të provonte makinën e kuqe Kimi Raikkonen. Kampioni i botës i vitit 2007 provoi Ferrarin për 80 xhiro me goma të buta, duke e mbyllur ditën me afërsisht 3/10-at diferencë, kundrejt vendit të parë.

Kompletoi 4-shen e parë Nico Hulkenberg, i cili ndonëse testoi makinën e tij Renault R.S.18 me goma të mesme për 73 xhiro gjithsej i përfundoi provat e ditës së hënë me kohën e 4-t më të shpejtë të paradites 1’20″547, ndërsa në vazhdim piloti gjerman i la radhën shokut të skuadrës Carlos Sainz Jr.

-->