Tetë gola në ‘Stamford Bridge’ – Chelsea avancon tutje

Futboll 25 Shtator 2019 22:49

Chelsea ka kaluar në çerekfinale të Carabao Cup, pasi e ka eliminuar Grimsbyn me rezultat 7:1.

Pas vetëm katër minutash lojë, blutë kaluan në epërsi me anë të Ross Barkleyt nga asistimi që i bëri Pedro.

Tre minuta më vonë, Michy Batshuayi e dyfishoi epërsinë për skuadrën londineze, mirëpo Grimsby e ngushtoi rezultatin me anë të Matthew Green (19’).

Pedro e thelloi epërsinë për Chelsean në 3-1 në minutën e 43-të, duke shkuar në pushim prej dy golash në epërsi.

Pjesa e dytë ishte përsëri e dominuar nga lojtarët e Frank Lampardit që realizuan me anë të Kurt Zoumas (56’).

Reece James që u rikthye nga lëndimi për skuadrën nga qyteti i Londrës shënoi për 5-1, e që njëherësh debutoi me gol në Stamford Bridge.

Sulmuesi belg ishte tejet i disponuar për lojë, gjersa arriti ta shënonte golin e dytë në takim në minutën e 86-të, gjersa Callum Hudson-Odoi (89′) u rikthye nga lëndimi me gol për 7-1.

Chelsea kaloi në rundin e katërt të Carabao Cup që ndryshe njihet edhe me emrin EFL Cup, e që shumë shpejt pritet ta mësojë kundërshtarin e radhës për këtë garë.