Thellohet kriza e Milanit, u turpërua nga Fiorentina në “San Siro”

Futboll 29 Shtator 2019 22:55

Fiorentina e ka nëpërkëmbur Milanin në ndeshjen e javës së gjashtë në Serie A duke e mposhtur me rezultat 3:1 para tifozëve në San Siro.

Ndeshja nuk nisi mirë për Rossonerët, pasi në minutën e 14-të u akordua penallti për mysafirët dhe Erick Pulgar u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Akoma më keq për vendasit u bë në gjysmën e dytë, pasi Mateo Musacchio u përjashtua me karton të kuq (55′) me ndihmën e VAR-it.

Fiorentina e mori lojën në dorë dhe vazhdoi të krijonte raste rreziku, ndërsa një top të kthyer e shfrytëzoi Gaetano Castrovilli për ta shënuar golin e dytë (66′).

Një tjetër penallti vizitorët e patën në minutën e 70-të, mirëpo goditjen e Federico Chiesas e mbrojti Gianluigi Donnarumma.

Veterani Franck Ribery tregoi mjeshtërinë e tij duke u treguar i qetë në zonë, duke i nxjerrë jashtë loje mbrojtësit vendas dhe duke realizuar (78′).

Golin e nderit për skuadrën nikoqire e shënoi Rafael Leao në minutën e 80-të të ndeshjes.

Kjo ishte humbja e katërt e Milanit që i ka regjistruar vetëm dy fitore dhe me gjashtë pikë qëndron në vend të 16-të në tabelë.