Thiem eliminoi Djokovicin, në finale sfidon Nadalin

Tenis 08 Qershor 2019 17:53

Tenisti austriak Dominic Thiem është finalisti i dytë i grand slam të Roland Garros, pas fitores 3-2 në gjysmëfinale ndaj serbit Novak Djokovic (6-2, 3-6, 7-5, 5-7, 7-5). Në ndeshje maratonë, që nisi dje dhe u përfundua sot, e ndërprerë disa herë për shkak të shiut.

Një fitore e merituar e Thiem, numri 4 në botë për meshkuj, që konfirmoi edhe një herë se sipërfaqja e fushave me dhè është e preferuara e tij. Në finale, ai do të përballet me Rafael Nadalin, një finale fotokopje e asaj të një viti më parë.

Djokovic, numri 1 në botë për meshkuj, bëri maksimumin për të shkuar në finale, por fati nuk mundi ta ndihmojë deri në fund. Dy herë shiu ndali ndeshjen kur ai ishte në disavantazh, madje edhe sot, por ndaj Thiem e pati të pamundur të triumfojë. Thiem kishte mundësi ta fitonte më herët ndeshjen, por Djokovic shpëtoi dy topa në shërbimet e kundërshtarit. Në rastin e tretë, austriaku nuk zhgënjeu.

Ndeshja ka qenë e ekuilibruar përgjatë dy ditëve që u zhvillua, madje shpesh u deshën pikët shtesë për të përcaktuar fituesin. Tenistët dueluan fort edhe pse në temperatura të larta. Djokovic pati edhe një polemikë me gjyqtarin në momentin që ndeshja u ndal sot, teksa nuk ishte shumë i qetë në fushën e lojës.

Ndërsa Thiem ishte më i saktë në lojën në fundore, duke mos dështuar në këtë event. Austriaku do të kërkojë nesër të hakmerret ndaj Nadal për humbjen e një viti më parë në finalen e turneut parisien.