Tifozët drenicas shpërthejnë pas emërimit të Vukicevic – kryetari Ramaj sqarohet

Futboll 06 Gusht 2019 16:14

Tifozët e Feronikelit ishin të ashpër në reagimet e tyre pas emërimit të trajnerit malazez, Dejan Vukicevic, në krye të kampionit aktual të Kosovës.

Pasi e shkarkoi Zekirija Ramadanin, klubi i Feronikelit sot ka zyrtarizuar trajnerin nga Mali i Zi, raporton Insporti

Me këtë vendim të klubit, tifozët e ekipit nga Drenasi janë “tronditur” derisa kanë shpërthyer edhe në akuza ndaj klubit, në rrjetet sociale.

Në karrierën e tij si futbollist, Vukicevic kishte qenë pjesë edhe e skuadrës së famshme serbe, Partizanit të Beogradit.

Pas lajmit për emërimin e tij, tifozët kanë komentuar duke thënë se klubi ka emëruar një trajner “serb”.

 






E rreth këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i KF Feronikelit, Naser Ramaj, që në një prononcim për Blic ka thënë se nuk bëhet fjalë për një trajner serb.

Madje, sipas Ramajt, ai është një ndër trajnerët më të mirë, duke shtuar se nuk do të merret me ata që “nuk dinë të lexojnë”.

Dejan Vukicevic, trajneri i ri i “KF Feronikeli”

“Ai është trajner malazez dhe është ndër trajnerët më të mirë. Ai nuk është serb dhe për ata që nuk dinë të lexojnë, nuk merrem shumë me ta”, tha shkurtimisht presidenti i kampionit kosovar për Gazetën Blic.

Klubi i Feronikelit në faqen zyrtare në Facebook, pas reagimeve të shumta fshiu postimin e parë, për ta postuar lajmin sërish, kësaj radhe duke e potencuar në titull se bëhet fjalë për një trajner malazez.

Debutimin e tij me klubin nga Drenasi, trajneri 51-vjeçar nga Podgorica do ta bëjë më 10 gusht, në ndeshjen miqësore që do të zhvillohet ndërmjet Feronikelit e Milanit në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.