Tifozët e gjejnë ‘fajtorin’ e humbjes së Manchester Unitedit nga Barcelona

Futboll 11 Prill 2019 14:49

Reperi kanadez Drake është bërë i famshëm edhe në botën e futbollit gjatë kohës së fundit, për shkak të disa fotografive me yjet e futbollit.

Së fundi, ai po fajësohet për disfatën e Manchester Unitedit ndaj Barcelonës.

Barcelona do ta marrë me vete në Camp Nou epërsinë 1:0 falë suksesit të tyre në Old Trafford, ku autogoli i Luke Shaw ia dha fitoren në çerekfinale të Ligës së Kampionëve katalonasve.

Megjithatë, për këtë disfatë, tifozët e futbollit në rrjetet sociale po e fajësojnë reperi Drake e jo paraqitjen e skuadrës së tyre, pasi që besojnë se një fotografi e Drake me Paul Pogbën u ka sjellë atyre fat të keq.

Gjatë kohës së fundit, Drake i kishte bërë një numër të fotografive me disa prej yjeve të futbollit dhe skuadrat e tyre i kishin humbur ndeshjet e radhës.

Gjithçka filloi me një foto të Drake me sulmuesin e Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyangun, pas së cilës klubi londinez pësoi disfatë me rezultat 1:0 ndaj Evertonit, duke e humbur vendin në top katërshe.

Drake u pa duke bërë fotografi edhe me yllin e Dortmundit, Jadon Sanchon. “Mallkimi” i reperit vazhdoi dhe Dortmundi pësoi disfatë të thellë në ndeshjen kundër Bayernit, me rezultat 5:0.

Të martën, Drake e fitoi famën e vërtetë në botën e futbollit, kur pas fotografisë me Kun Aguero e Manchester Cityt, skuadra e Pep Guardiolës pësoi disfatë në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen kundër Tottenhamit.

Të njëjtin fat me Manchester Cityn e patën edhe rivalët e qytetit të tyre, Manchester Unitedi. Mbrëmë ata pësuan disfatë me rezultat 1:0 kundër Barcelonës.

Vetëm disa orë më vonë filloi të qarkullonte nëpër rrjete sociale një fotografi e mesfushorit të “Djajve të kuq” me reperin amerikan.