Tifozët e Lazios të acaruar me Hysajn, reagon klubi

Futboll 20 Korrik 2021 09:47

Ndonëse bëhej fjalë për një ritual gazmor, festa e Elseid Hysaj pasi debutoi me Lazion ka shkaktuar një acarim tek tifozët bardhekaltër, shkruan Insporti.

Mbrojtësi shkodran u transferua te Lazio pak ditë më parë si futbollist i lirë dhe nga ambientet e grumbullimit zgjodhi himnin e njohur partizan “Bella Ciao” për të kënduar para shokëve të tij të rinj, por pikërisht kjo zgjoi polemika.

Tifozët e Lazios, të njohur për prirjet e tyre fashiste apo ekstreme të djathta, reaguan menjëherë dhe ushtruan presion në ambientet e grumbullimit, teksa pas negociatave edhe të drejtorit sportiv Igli Tare, kënga u fshi nga rrjetet sociale dhe u duk sikur u arrit një farë paqeje.

Përveç në rrjetet sociale, tifozët e Lazios nuk ngurruan të shprehin acarimin e tyre as në rrugët e kryeqytetit, ku shpalosën një pankartë të turpshme, ku shkruhej “Hysaj Krimb, Lazio është fashiste”!

Dhe, klubi i Lazios është detyruar të dalë me një komunikatë zyrtare, ku ka theksuar angazhimin për të marrë në mbrojtje Hysajn dhe njëkohësisht ka bërë thirrje që të mos prishet klima e qetësisë në qendrën stërvitore.

“Është detyrë e klubit që të mbrojë një prej anëtarëve të saj dhe ta çlirojë nga përdorimi personal e politik, që në rastin konkret nuk ka asnjë lidhje me kontekstin jozyrtar dhe miqësor në të cilin ndodhi episodi. Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë me angazhimin maksimal sportiv dhe në klimën e qetësisë që ka mbizotëruar deri para këtij momenti”, thuhej në deklaratën e klubit lacial.

-->