Tifozët mbledhin para për personin që u sulmua nga adhuruesit e Romës

Futboll 27 Prill 2018 16:10

Para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Europa League, ku u takuan Liverpool e Roma në “Anfield”, kishte ndodhur një tollovi para stadiumit, ku një person mbeti i lënduar rëndë.

Dy tifozë të ekipit mysafir Roma, njëri 20 e tjetri 29 vjeç, kishin sulmuar një adhurues të Liverpool, të cilit i kishin shkaktuar lëndime shumë të rënda, pasi e goditën me çekiç.

Personi i cili pësoi lëndime shumë të rënda nga dy huliganët romak, u mësua se është një 53 vjeçar me emrin Sean Cox, tifoz i Liverpool nga Irlanda dhe baba i tre fëmijëve.

Ai ishte dërguar me urgjencë në spitalin e Liverpool dhe gjendja e tij edhe më tutje raportohet se është mjaft e rëndë, pasi është në gjendje kome, pas dëmtimeve që mori nga goditja me çekiç dhe mjete tjera të forta.

Disa tifozë të Liverpool, të tronditur nga ngjarja, e ndërmorën një nismë shumë fisnike, duke mbledhur fonde online në faqen “Go Fund Me”, ku në një ditë të vetme kanë arritur të mbledhin rreth 40 mijë euro.

Këto të ardhura janë të nevojshme për të ndihmuar familjen e Sean Cox, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet e mjekimit të 53 vjeçarit.

Menjëherë me ta kuptuar iniciativën, janë solidarizuar edhe tifozë tjerë të Liverpool, por ka edhe tifozë të Romës po ashtu, të cilët i kanë dërguar mesazhe inkurajuese familjes së Cox.

“Ju lutem pranoi paratë e mia, jam një adhurues i sportit, tifoz i Romës dhe admirues i skuadrës së Liverpool. I tronditur thellësisht nga sjellja e një numri të vogël egërsirash, që nuk mund të na përfaqësojnë kurrsesi të gjithëve”, ka shkruar një tifoz i Romës. /Insporti.com

-->