Tirana – Skënderbeu, dhunë në tribunën “VIP”

Futboll 05 Maj 2019 10:27

Goli i Edon Hasanit në limitet e kohës, vendimtar për fitoren e Tiranës 1-0 ndaj Skënderbeut dhe po aq deçiziv për fatet e bardhebluve në misionin për mbijetesë, ka ndezur një sherr në tribunën VIP të “Selman Stërmasi”.

Nga sa raportohet, por edhe referuar pamjeve filmike, identifikohet djali i presidentit të Skënderbeut, Gerhard Takaj si protagonist i incidentit, pasi reagoi ndaj ofendimeve që vërshuan drejt drejtuesve të Skënderbeut pas golit të Tiranës.

Pikërisht për këtë incident, por edhe për momentin delikat që po përjeton skuadra e Tiranës, në përfundim të ndeshjes ishte kryeaksioneri i 24-herë kampioënve të Shqipërisë, Refik Halili ai që nuk iu shmang prononcimit.

 

“Kuptohet që tensioni është i madh, për vetë pozicionin tonë. Në momentet e fundit të ndeshjes, për shkak të golit të realizuar nisëm të festonim, çka u shoqërua me një incident të vogël. Gjithsesi, situata nuk duhet bërë aq alarmante”, tregoi kreu i klubit bardheblu.

“Në kampionat kemi përjetuar një situatë të vështirë, por shpresoj që të vazhdojmë me fitore deri në fund të kampionatit. Dëshiroj që këtë kampionat të vështirë ta mbyllim suksesshëm”, vijoi Halili.

“Sot fati ishte me ne. Gjatë ndeshjes më thanë se fitonte Kastrioti, ndërkohë që ne nuk kishim shënuar ende. Pavarësisht kësaj, unë isha i qetë, sepse rezultatin nuk e vendos unë si të dua”, deklaroi kryeaksioneri i Tiranës, Refik Halili. /telesport.al/

 

-->