Tjetër dështim i Barcelonas, i vështirësohen punët për titull

Futboll 01 Korrik 2020 00:03

Barcelona dhe Atletico Madridi i kanë ndarë pikët në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 33-të në La Liga, pasi ndeshja përfundoi 2:2.

Blaugranasit arritën të kalonin në epërsi qysh në minutën e 12-të falë auto-golit të shënuar nga Diego Costa.

Por, Atletico Madridi arriti shumë shpejtë të rikthente epërsinë me anë të një penalltie të fituar në minutën e 14-të, të konkretizuar nga Saul Niguez.

Në minutën e 50-të, Lionel Messi i riktheu epërsinë vendasve me anë të penalltisë së fituar nga Nelson Semedo, që ishte goli i 700-të në karrierë dhe i 22-ti për të në këtë edicion.

Mirëpo, 12 minuta më vonë, gjyqtari i takimit sërish dha penallti për Rojiblancos, e që Saul ishte sërish ai që realizoi kundër Ter Stegen, për 2:2 që doli të jetë rezultati përfundimtar.

Ky barazim nuk i ka konvenuar aspak Barcelonës, pasi vije pas atij ndaj Celta Vigos 2-2 në javën e kaluar.

Katalunasit mbetën sërish në vendin e dytë me 70 pikë, një më pak se Real Madridi që është lider, derisa Atletico Madridi është në të tretin me 59 sosh.

Në xhiron e 34-të, Barcelona do takohet me Villarealin.

-->