Tjetër dështim për Arsenalin – Xhaka e arrin këtë rekord ‘negativ’

Futboll 05 Maj 2019 19:49

Arsenali sërish nuk ia ka dalur të fitojë në Premierligë, duke fituar vetëm një pikë në katër ndeshje.

‘Gunners’ u ndalën në barazim 1:1 nga Brightoni në “Emirates”, duke pësuar goditje të madhe në garën për të siguruar një vend që çon në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër.

Skuadra e Emeryt tani duhet të shpresojë në fitimin e Europa League për të arritur kualifikimin në garën më prestigjoze për klube.

Ishte një gabim i mesfushorit Granit Xhaka, që mund të rezultojë fatal në shpresat e Arsenalit për një kualifikim në Champions.

Ky gabim i futbollistit shqiptar mund të rezultojë që Arsenali të mbetet në Ligën e Evropës. Xhaka shkaktoi penallti në minutën e 60-të, me ç’rast barazoi skuadra e Brightonit.

Në fakt, Xhaka me këtë gabim ka arritur një rekord negativ. Që prej kur iu bashkua ‘Topçinjëve’ në verën e vitit 2016, 26-vjeçari ka shkaktuar 4 penallti në Premierligë, më shumë se ndonjë lojtar tjetër në këtë periudhë kohore. /Insporti.com/