Toronto mposht Milwaukeen, Curry udhëheq Warriors drejt fitores

Basketboll 06 Janar 2019 09:55

Toronto Raptors ka arritur të triumfojë me rezultatin 123-116 përballë Milwaukee Bucks, në përballjen direkte mes vendit të parë dhe të dytë të Konferencës së Lindjes, të zhvilluar në “Fiserv Forum”.

Vendasit e nisën mjaft mirë sfidën dhe fituan fraksionin e parë me rezultatin 34-27, por reagimi i kanadezëve ishte për t’u lavdëruar, pasi në dy pjesët e tjera, arritën të rikthehen dhe madje të shkëputen me 9 pikë avantazh.

Milwaukee tentoi të kthehet në fraksionin e katërt dhe të fundit, të cilin e fitoi me vetëm dy pikë diferencë, duke dalë kokulur nga kjo sfidë dhe duke humbur pas 5 fitoresh radhazi, por gjithsesi Bucks mbeten në krye të Konferencës së Lindjes.

Greku i Milwaukeet, Antetokounmpos ishte më i miri i sfidës, duke regjistruar 43 pikë, 4 asiste dhe 18 rikuperime, ndërsa për Raptors shkëlqyen Leonardo dhe Siakam, me 60 pikë, 9 asiste dhe 10 rikuperime së bashku.

Sakramento Kings pësoi humbjen e katërt radhazi, teksa këtë herë priti në shtëpi kampionët në fuqi të NBA, Golden State Warriors, ndaj të cilëve u mposht me rezultatin final 123-127.

Ndryshe nga rezultati final, në “Golden 1 Center”, u zhvillua një sfidë e çekuilibruar, me Warriors që fituan me rezultat të thellë fraksionin e parë dhe të katërt, por humbën gjithashtu me diferencë, pjesën e dytë dhe të tretë.

Stephen Curry ishte pa dyshim lideri i Golden State Warriors në këtë udhëtim, duke shënuar plot 42 pikë dhe duke regjistruar 2 asiste e 5 rikuperime, ndërsa një paraqitje për t’u vlerësuar bëri edhe ylli tjetër i skuadrës, Kevin Durant.

Cleveland Cavaliers zhytet në krizë, pasi pësoi humbjen e 9 radhazi në kampionat, teksa këtë herë u mposht me rezultatin e thellë 98-133 nga miqtë e New Orleans Pelicans. Këta të fundit dominuan në çdo fraksion të sfidës, duke mos u lënë vendasve asnjë mundësi të riktheheshin në lojë.

Në sfidat e tjera, San Antonio Spurs triumfoi me rezultatin 108-88 përballë Memphis Grizzlies, Philadelphia 76ers mposhti me rezultatin 106-100 Dallas Mavericks dhe Detroit Pistons humbi në shtëpi përballë Uttah Jazz me rezultatin 105-110.