Tovërlani e thotë publikisht: Asnjë klub të mos më ftojë për punë, nuk jam trajner nëse ma fitojnë më kalkulime

Futboll 26 Prill 2021 10:56

Trajneri Afrim Tovërlani ka bërë një deklaratë interesante mbrëmë në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, duke thënë që asnjë klub që i është i përfshirë në kalkulime  të mos e ftojë për të marrë postin e trajnerit, raporton Insporti.com.

Tovërlani në rolin e analistit të Superligës së Kosovës ka komentuar zhvillimet e fundit në elitën e futbollit tonë, duke e thënë publikisht që nuk dëshiron të jetë pjesë e klubeve që bëjnë matematika për ta fituar kampionatin.

“Një sen po e them publikisht, çdo kryetar, çdo klub, që nuk ka qef me lujt futboll qysh duhet kurrë mos në jetë mos të më ftojnë. Kurrë në jetë nuk do jem anëtar i një klubi që dëshiron me kalkulime me fitu. Nuk jam trajner nëse ma fitojnë më kalkulime, pra publikisht po e them, asnjë klub, asnjë kryetar apo kryesi të mos më ftojnë nëse nuk e ka ndërmend me punu për futboll. Unë tërë jetën futbollit nuk ia kam kushtuar me hi në kalkulime”, ka deklaruar Tovërlani.

“Toki” që nga largimi i tij nga Feronikeli është i pa punë. Në të kaluarën, trajneri prishtinas ka qenë trajner i Prishtinës, me të cilën ka fituar tre tituj kampioni.

Në fundjavë është zhvilluar xhiro e 30-të e Superligës së Kosovës, në të cilën u zhvilluan dy derbi, Drita – Prishtina (1:2) dhe Ballkani – Gjilani (1:0).

Pas përfundimit të derbit në Gjilan, tifozët e Dritës hodhën akuza në drejtim të kryesisë së klubit se kanë kurdisur ndeshjen, madje u kanë uruar fatin e klubit shqiptar KF Skënderbeu, i cili është dënuar nga UEFA për kurdisje me 10 vite mos pjesëmarrje në garat evropiane.

Po ashtu, edhe Ballkani ka reaguar duke shkruar një letër të hapur në drejtim të krerëve shtetëror në lidhje me zhvillimet e fundit në kampionat. /Insporti.com/

https://www.facebook.com/DueliSportivRTVD/videos/482804259539083/

-->