Tovërlani: Rezultati nuk ishte real – vështirë të luftohet për titull

Feronikeli ka vazhduar me paraqitje të mirë edhe në fundjavë, pas ndeshjes me Ballkanin të mërkurën në kuadër të Digitbal Kupës së Kosovës, shkruan Insporti.com.
Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, sot ka rifulluar kampionatin me fitore kundër Vushtrrisë në Drenas. “Nikli” arriti fitore të lehtë me rezultat 3:1.
Trajneri i “Niklit”, Afrim Tovërlani pas ndeshjes për mikrofonin e “SuperSportKosovës” deklaroi rezultati nuk ka qenë real por me rëndësi janë pikët e fituara. “Ne kur arritëm rezultatin e hershëm insistoja ta qarkullojmë topin dhe ta kërkojmë golin e tretë qe të mos shpenzohemi sepse jemi të lodhur pak nga ndeshja me Ballkanin. Pësuam golin pastaj normal që duhej të kishim kujdes të shtuar se mund të barazohej rezultati e që do të ishte keq për ne, megjithatë mendoj që në fund 3:1 ndoshta nuk ka qenë rezultat real por me rëndësi janë pikët dhe mendojmë për ndeshjen e radhës”, deklaroi Tovërlani për SSK.
“Toki” foli edhe për gjasat e skuadrës së tij për titull të kampionit. “Sa i përket titullit, dihet që kemi mbetur prapa edhe pse nuk janë zhvilluar disa ndeshje që luhen nesër, mirëpo realisht është e vështirë që ato të bëjne gabim 3-4 ndeshje ndërsa ne të mos kemi asnjë gabim.”, përfundoi ai.
Pas kësaj ndeshje, Feronikeli numëron 37-të pikë, nëntë më pak se lideri aktual, Drita.
Ndërsa, Vushtrria po vazhdon rrugën drejt Ligës së Parë. /Insporti.com/
