Trajneri i Danimarkës tregon detaje interesante për Kosovën, para ndeshjes në “Fadil Vokrri”

Futboll 03 Shkurt 2019 10:53

Kosova e pret Danimarkën më 21 mars në “Fadil Vokrri”, në përballjen miqësore, para ndeshjes së Përfaqësueses sonë kundër Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Lajmi për ndeshjen miqësore kundër danezëve është pritur mirë nga fansat “Dardanë”, pasi është shmangur përballja me ndonjë Kombëtare, jo shumë të njohur, nga Afrika, transmeton Insporti.

Tani, trajneri i Danimarkës, Age Hareide ka dhënë detaje interesante në lidhje me Kosovën, duke thënë se i njeh disa lojtarë të verdhë e kaltërve.

Në një intervistë për “IndeksOnline”, ai është shprehur: “Njoh disa futbollistë. Kam qenë trajner i Valon Berishës (edhe i vëllaut të tij Vetonit), kur ai ishte 18 vjeçar te skuadra Viking në Norvegji, më pas ai ka luajtur për Red Bull Salzburg, tani në Lazio. Pastaj ka disa futbollistë tjerë me prejardhje nga Kosova që kanë lindur në Norvegji, si Herolind Shala, Elbasan Rashani etj. Këta futbollistë i njoh por nuk e njoh mirë ekipin, por sigurisht që do të marrë të gjitha informacionet e nevojshme para ndeshjes.”

Mëtej ai ka vazhduar duke thurur lavdata të tjera për Përfaqësuesen.

“Nuk më ka befasuar fakti që ata fituan grupin në Nations League sepse Kosova dhe në përgjithësi Ballkani kanë futbollistë të mirë. Futbolli në Ish Jugosllavi ka rrënjë të thella dhe të gjitha shtetet nga ai territor dinë të luajnë futboll. Andaj nuk më ka befasuar aspak Kosova që ka fituar grupin”.

Kur është pyetur se me çfarë formacioni do të luajë, ai ka shtuar:

“Nuk kemi shumë zgjedhje, kështu që duhet të inkuadrojmë futbollistë që do të grumbullohen për ndeshjen me Zvicrën. Kur na është ofruar mundësia që të luajmë me Kosovën ne kemi pranuar sepse do të jetë si nxemje para duelit me Zvicrën.” /Insporti.com/

-->