Trajneri i Partizanit shpërthen ndaj gjyqtarëve pas humbjes nga Tiraspoli

Futboll 01 Gusht 2019 22:47

Partizani bëri ndeshjen më të mirë të vitit por nuk mjaftoi që ata të kualifikoheshin më tej në Europa League.

Pas barazimit 1-1 të Partizanit kundër Sherif Tiraspol, ka folur trajneri i të kuqve, Franko Lerda. Ky i fundit përballë gazetarëve s’është përmbajtur duke deklaruar se fati i takimit u vendos prej arbitrave.

Shfaqet i kënaqur me të tijtë, por s’mund të përtypë eleminimin që dhemb shumë. Në konferencën për shtyp deklaroi:

“Kjo është gjëja më negative absolutisht në futboll. Mund të humbësh e fitosh ndeshje, por në këtë mënyrë të shqetëson shumë. Jemi vend i vogël dhe ndodhin këto raste të dyshimta. Gjyqtari o duhet të ngrejë flamurin ose jo, nuk ka asgjë për të ndryshuar vendimin. Është e kotë të flasim për rezultat. Komplimente djemve, edhe atyre në pankinë e në tribunë se kanë bërë gjithçka si duhet. Kemi qenë bashkë, kemi dhënë maksimumin dhe mund të merrnim diçka më shumë.

Te episodi fola me gjyqtarin e katërt dhe e pyeta pse u ndryshua vendimi. Sapo pësuam golin pashë vijërojtësin që kishte çuar flamurin dhe isha i qetë. Por ata e ndërruan vendimin dhe nuk kishte si ta shihnin e merrnin vendim ndryshe. Ky është turp, është e turpshme. Nesër kalon gjithçka, por klubi ka pësuar një dëm të madh.

Djemve nuk mund t’u them gjë tjetër, kemi bërë tre ndeshje ne lartësinë e duhur, kanë mbajtur lart figurën e Partizanit. Nuk mund ta quaj katastrofë ndeshjen e parë ndaj Sherif në Tiranë, të gjithë kanë bërë mirë. Të jenë krenarë, shumë krenarë se kemi dalë me kokën lart. Ishim në lojë, e kishim raste të rëndësishme, kishim mundësi erdhëm këtu e luajtëm futboll e nuk u paraqitëm keq, luajtëm futboll e patëm mundësi të kalonim. Por përtej rasteve, kishte 5-6 situata ku gjyqtari ndalte lojën kundër nesh, edhe faulli i golit nuk ishte. Pastaj Braun i mori topin kundërshtarit po shkonte në portë, por ai e ndali me 3 futbollistë tanët në zonë. Janë raste që vendosin ndeshjen”, tha ai.