Trajneri i ri i Feronikelit, Dejan Vukicevic ishte akter në ndeshjen e dyshuar për kurdisje

Futboll 07 Gusht 2019 17:30

Trajneri që dje u emërua në krye të KF Feronikelit, ishte akter në ndeshjen e cila dyshohet të jetë kurdisur.

Gjatë ditës së djeshme, klubi kampion i Kosovës, KF Feronikeli, emëroi malaziasin Dejan Vukicevic në krye të shtabit teknik. Insporti raporton se ai së fundmi kishte qenë pjesë e skuadrës nga Letonia, FK Ventspils.

Klubi nga Drenasi e shkarkoi trajnerin shkupjan, Zekirija Ramadani, me të cilin fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës, për ta pasuar me 51-vjeçarin Vukicevic, i cili nuk është se u prit mirë nga tifozët.

Ai ka qenë në krye të skuadrës nga Letonia, FK Ventspils, për më shumë se një vit. U emërua në janar të 2018-tës, derisa u largua në maj të këtij viti.

Vukicevic me skuadrën letoneze nuk arriti të fitojë ndonjë titull, derisa jehonë gjatë kohës së tij te klubi bëri ndeshja me skuadrën nga Shqipëria, Luftëtari, në kaudër të kualifikimeve për Ligën e Evropës.


Ndeshja ndërmjet Luftëtari e FK Ventspils

Insporti raporton se UEFA kishte nisur hetim për ndeshjen në Shqipëri, ku në korrik të vitit të kaluar ishin ndeshur Luftëtari e Ventspils, që asokohe drejtohej nga Vukicevic, për shkak të kurdisjeve të mundshme.

“Digisport”, rrjeti i famshëm sportiv rumun, kishte bërë të ditur se ndër ndeshjet e kualifikimeve në Europa League që kishin tërhequr vëmendjen e organizatës ndërkombëtare ishte ajo e xhiros së parë, ndërmjet Luftëtarit dhe Ventspils.

Sfida e parë e skuadrës shqiptare kishte përfunduar me fitoren 5:0 të letonezëve në fushën e tyre ku dominuan ndaj gjirokastritëve që në pjesën e parë të ndeshjes.

Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit, ekipi gjirokastrit barazoi 3:3 por u përball me akuza të shumta nga çdo vend i botës për manipulim të rezultatit për shkak të luhatjes së çuditshme të koeficienteve si dhe të sjelljes së futbollistëve në fushë, sidomos në momentin e golit të barazimit 3:3.

Rreth këtyre raportimeve kishte reaguar klubi i Ventspils, që kishte deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me atë që kishte bërë Luftëtari.

“Ventspils nuk angazhohet në ndonjë çështje të kompanive të basteve dhe nuk merr pjesë në çështje që në një mënyrë apo tjetrën lidhen me lotari dhe gjëra të tjera të ngjashme”, kishte qenë reagimi i klubit.

Por, presidenti i Ventspils, ka një të kaluar të errët derisa është akuzuar edhe për trukime.

Përderisa në Shqipëri, në qendër të vëmendjes ishte skuadra gjirokastrtite për shkak të lajmeve ku kryefjalë u bënë golat dhe mënyra naive e pësimit të të tyre, në Francë dhe Letoni vëmendja u përqendrua te presidenti i klubit letonez, transmeton Insporti

Mediat franceze i kishin bërë jehonë dhe u morën me të kaluarën e biznesmenit rus, Adlan Shishkhanov, që u bë president i Ventspils pak vite më parë.

Adlan Shishkhanov, presidenti i “FK Ventspils”

Pas vdekjes së ish-presidentit të ekipit letonez, Juri Bespallov, në vitin 2012, te Ventspils u afrua pikërisht rusi Shishkhanov.

Sipas asaj që shkruan portali francez, “footballski.fr”, tifozët në Letoni u shqetësuan menjëherë, pasi e kaluara e biznesmenit Shishkhanov ishte e errët. Ai kishte braktisur klubin moldav të FC Dacia – ku po ashtu trajner kishte qenë Dejan Vukicevic – ndërsa akuzohej për trukime ndeshjesh dhe pastrim parash.

Shishkhanov është nipi i bilionerit rus, Mikhail Gutseriev, i cili renditet në vend të 24-t në listën e njerëzve më të pasur në Rusi, sipas prestigjiozes “Forbes”.

Përkundër dyshimeve për kurdisje në ndeshjen me Luftëtarin, dhe të kaluarën e dyshimtë të presidentit aktual, ish-trajneri Vukicevic, tashmë trajner i Feronikelit, nuk raportohet se ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet të dyshimtë.

Ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit, për gjatë dy sezoneve sa e udhëhoqi ekipin e Ventspils, e drejtoi ekipin në gjithsej 47 ndeshje, duke e arritur një mesatare të 1.89 pikëve për ndeshje.

Në të kaluarën, Vukicevic, tani trajner i Feronikelit, ishte trajner i skuadrës së FC Dacia nga Moldavia, ku president te klubi moldav atë kohë ishte presidenti i Ventspils, rusi Adlan Shishkhanov.


Dejan Vukicevic së bashku me presidentin Adlan Shishkhanov, në kohën kur të dy ishin te FC Dacia

Vukicevic, pas largimit të tij nga FC Dacia, ku qëndroi për dy vite, mori drejtimin e skuadrës së FK Zeta Golubovac në Mal të Zi, e më një vit më vonë, mori drejtimin e skuadrës tjetër malaziase, FK Mladost.

Ai debutimin me Feronikelin do ta ketë në miqësoren ndaj Milanit në “Fadil Vokrri”, më 10 gusht. /Insporti.com/