Trajneri nga Maqedonia do ta zëvendësojë Dallkun

Futboll 05 Shtator 2020 12:40

Përpos ndryshimeve të shumta në skuadër, FC Prishtina do të bëjë ndryshim të madh edhe në shtabin teknik.

Klubi më i madh në vend ka vendosur që t’i ndajë rrugët me trajnerin, Armend Dallku, mëson “Zeri.info” nga burime të sigurta brenda FC Prishtinës.

Në vend të Dallkut, në krye të FC Prishtinës pritet të emërohet një emër i njohur për futbollin kosovar.

Bëhet fjalë për trajnerin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Zekirija Ramadani.

Ramadani ka përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, ku e ka drejtuar Feronikelin dhe Trepçën’89.

Ramadani e ka fituar titullin e kampionit dy herë me Feronikelin dhe njëherë me klubin mitrovicas.

Ndryshe, Dallku me FC Prishtinën edicionin e kaluar fitoi Kupën e Kosovës në futboll dhe siguroi plasmanin në Ligën e Evropës.

Kurse në kampionat, FC Prishtina dështoi ta fitojë titullin duke u renditur vetëm në vendin e katërt me 62 pikë.

-->