Trajneri serb refuzoi ta drejtonte ekipin ndaj Feronikelit, flet pas ndeshjes zëvendësi i tij

Futboll 25 Korrik 2019 09:00

Trajneri i Slovan Bratislava, Jan Kozak, ka folur pas ndeshjes me Feronikelin, duke e vlerësuar fitoren.

Sipas tij më mirë do të ishte që të mos pranohej goli, që Feronikelit i jep shpresa për ndeshjen e kthimit.

‘Nikli’ arriti të shënojë me anë të Mendurim Hotit në pjesën e dytë.

“Me gjithçka që ka ndodhur në klub në ditët e fundit, sot nuk ishte e lehtë. Të gjithë duam që kjo të ishte ndryshe. Por fitorja jonë është sigurisht e merituar”.

“Shumë keq që nuk ishte fitore me zero. Megjithatë, ky është një rezultat më i mirë sesa një barazim, pasi ne jemi akoma më pranë avancimit se kundërshtari”.


Goli i Mendurim Hotit (67′) i jep shpresë Feronikelit për ndeshjen e kthimit

“Personalisht, unë jam i mërzitur. Disa gjëra më shqetësojnë, nuk dua ta vlerësoj tani, por nuk është e lehtë kur dikush kujdeset për një klub”.

“Duket si një klishe, por ne mund të dalim nga kjo situatë vetëm me punë të vështirë”, ka thënë Kozak.

Insporti raporton se Kozak, që është trajner i ekipit të të rinjve të Slovan Bratislavës, e zëvendësoi trajnerin e përkohshëm të Slovan, serbin Vladimin Radenkovic, që nuk e udhëhoqi ekipin në këtë ndeshje shkaku i Kosovës.


Vladimir Radenkovic (djathtas), që refuzoi ta udhëheqë ekipin ndaj kampionëve të Kosovës

I pyetur nga gazetarët rreth kësaj çështje në konferencën për shtyp, Kozak refuzoi të përgjigjej.

“Në ndeshjen ndaj Feronikelit ju e zëvendësuat trajnerin e përkohshëm Vladimin Radenkovic, që e humbi ndeshjen shkaku i çështjes Kosovë – Serbi. Si komunikuat?”

“Nuk e kam asnjë koment”, tha trajneri Kozak.

Ndryshe, gjatë ndeshjes, tifozët e skuadrës sllovake shfaqën banerë ku shkruhej se Kosova është Serbi. /Insporti.com/

 

-->