Transferimi i Pulisicit, “lajm i keq” për Chelsean

Futboll 02 Janar 2019 18:22

Transferimi i parë i madh i afatit kalimtar të janarit ndodhi sot, kur Chelsea arriti marrëveshje për transferimin e Christian Pulisicit.

Ky transferim i ka nxitur spekulimet në mediat angleze, si Mirror, se Eden Hazard tani do ta ketë më të lehtë t’i bashkohet Real Madridit.

Dortmundi tashmë e ka konfirmuar se Christian Pulisic do të transferohet në Chelsea për 64 milionë euro.

Ai do të mbetet në Dortmund deri në fund të këtij sezoni, në formë huazimi, dhe do t’i bashkohet klubit londinez më 31 qershor.

20-vjeçari është aktivizuar si titullar në vetëm katër ndeshje gjatë këtij sezoni, për herë të fundit në ndeshjen e 29 shtatorit. Pasi që lojtari nuk ka arritur një marrëveshje me klubin, Dortmundi ishte i gatshëm ta lejojë transferimin e tij si huazim.

Ndërsa, Hazardi e ka bërë të ditur më parë se ai ka ëndërruar gjatë gjithë jetës së tij që të bëhej futbollist i “Los Blancos”.

Kontrata e tij në Stamford Bridge përfundon pas 18 muajve dhe ai e dëshiron transferimin në Madrid, edhe pse nuk dëshiron ta lë keq klubin që i dha atij gjithçka deri më tani.

Transferimi i Pulisicit do të thotë se Hazardi do ta ketë më të lehtë transferimin në Real Madrid gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që Chelsea tanimë e ka gjetur një zëvendësues për të.