Tregimi i pathënë për Vokrrin, Savicevicin dhe Blatterin

Kombëtarja 07 Qershor 2019 13:17

Leart Hoxha

Në prag të një vjetorit të vdekjes së Fadil Vokrrit dhe pak patra se kombëtarja e Kosovës të zhvillojë takimin më Malin e Zi, dua të ndaj me lexues një nga tregimet interesante të futbollit të Kosovës dhe kombëtares që dikur nuk ekzistonte, si e tillë.

Fadil Vokrri ka qenë futbollisti më i mirë kosovar i të gjitha kohëve, reprezentues i ish-Jugosllavisë dhe njeri që e mbajnë në mend edhe në Mal të Zi, siç u dëshmua edhe me deklaratën e selektorit të këtij shteti.

Dejan Savicevic është futbollisti më i mirë malazias i të gjitha kohëve, kampion i Evropës më Crvena Zvezdën dhe Milanin dhe njeri që shumë kush në Kosovë e ka pasur lojtar të preferuar.

Mirëpo, është një tregim midis këtyre dy lojtarëve, ku përfshihet edhe Sepp Blater, ish Kryetari i FIFA-s dhe njeri që në fund i ndihmoi mjaft shumë futbollit të Kosovës, si dhe Agim Binaku, një prej gazetarëve më të mëdhenj të sportit që e ka pasur Kosova, nëse jo më i madhi.

Ka qenë viti 1987 dhe Jugosllavia luante kualifikime për Kampionat Evropian me Irlandën e Veriut në Sarajevë. Vokri, ylli i Partizanit të Beogrdit në atë ndeshje shënoi dy gola për tu dëshmuar sërish si një prej sulmuesve më të mirë të kohës.

Në minutën e 76-të, selektori Ivica Osim e nxjerr Vokrrin nga loja për ta zëvendësuar me lojtarin e ri të Buducnostit që atëherë premtonte shumë, Dejan Savicevic.

Që prej asaj kohe Vokrri e ka shikuar Savicevicin, si ai djali që e ka zëvendësuar atë në fushë. Respekti i dyanshëm ka qenë i madh dhe kjo është vërejtur sa herë që ata janë takuar ose kanë folur për njëri – tjetrin, por Vokrri ka qenë shumë karizmatik dhe këtë detaj nuk e harronte.

Savicevic edhe dje në pritje të delegacionit të FFK-së ka qenë shumë i përzemërt dhe nuk i fsheh ndjenjat pozitive që i ka për lojtarët e dikurshëm dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi.

Mirëpo, tregimi nuk përfundon këtu. Vokrri dhe Sepp Blatter, Kryetari i FIFA-s për herë të parë janë takuar pas luftë në një turne të kategorive të reja të FIFA-s ku po merrte pjesë edhe Flamurtari.

Blatter kishte shkuar për të shikuar turneun dhe Agim Binaku, që po e mbulonte turneun për RTV 21, e pa rastin e artë që të zhvillojë intervistë me të parin e FIFA-s. Binaku ka qenë njeri që këto raste nuk i ka lëshuar asnjëherë dhe Blatter nuk mund ti shmangej atij. Mirëpo, ishte një problem. Binaku nuk fliste frëngjisht, kurse anglishtja e Blatterit nuk ishte më e mira në botë.

Fadil Vokrri atëbotë jetonte në Francë, kishte ashumë pak lidhje dhe kontakte me futbollin e Kosovës, por një miqësi të madhe me Binakun, kishte shkuar të shikojë Flamurtarin në atë turne dhe pranoi të jetë përkthyes i Agim Binakut në intervistën me Blatterin.

Mirëpo, ajo që ndodhi aty, ka qenë a pabesueshme. Kur Vokrri i prezantohet Blatterit, Kryetari i FIFA-s thitë se mbiemri po i duket i njohur. Pas pak çastesh muhabet del se Blatter ka qenë zyrtar i UEFA-s në ndeshjen në Sarajevë ku Vokrri shënoi dy gola dhe që atëherë e kishte mbajtur në mend këtë talent të madh të futbollit. Më pas ajo intervistë është transmetuar në emisionin 2 me 1, ku punonim edhe unë e Bajrami (Shala) dhe sot e kësaj ditë është  ndër të rrallat herë që Kryetari i FIFA-s jep intervistë për një medium nga Kosova, dëshmi tjetër e madhështisë së Binakut

Prej atij njoftimi dhe ndërrimit të kontakteve, raporti midis Blaterit dhe Vokrrit ka qenë shumë personal dhe me shumë simpati e konsideratë për njëri – tjetrin. Vokrri më pas u kthye në Kosovë, u bë Kryetar i Federatës dhe me Blatterin e stafin e tij ka kultivuar marrëdhënie shumë të mira edhe zyrtare.

Kjo intervistë, më pas ka qenë burim i shumë batutave tjera në vite, kujton Hoxha. Në ka pasur shumë situata kur Binaku i fliste Vokrrit se “je bërë i famshëm dhe shok me Blatterin si përkthyes i imi”, kurse Vokrri nuk hezitonte të thoshte diçka të tipit “je bërë gazetar i madh sepse ke përcjellë këmba këmbës një lojtar të madh si unë”.

Këto dhe shumë episode tjera nga karriera dhe jeta e Vokrrit afre lehtë do të mund të mbeteshin të pathëna. E di që kolegu im Arben Berisha kishte filluar të punojë në një libër biografik për Vokrrin, por vdekja e hershme e tij, e la veprën e Arbenit në gjysmë dhe la të mangët për shumë tregime si kjo.

Sidoqoftë, janë ndeshjet si kjo e sotmja me Malin e Zi që duhet të na bëjnë krenar për të kaluarën në sport dhe në gazetari të sportit.