Tregimi për Lewis Hamiltonin dhe Blerand Hasanajn

FASK 04 Nëntor 2019 15:58

Leart Hoxha

Ka qenë vitit 2007 dhe Lewis Hamilton kishte debutuar në Formula 1, duke I bërë të gjithë për vete me mënyrën se si voziste dhe me sjelljet në dhe jashtë shtegut.

Duke qenë gazetar i ri i sportit, por fanatik i Formulës 1 që nga fëmijëria, përcjellja, me aq sa mundja, çdo lëvizje të tij për të cilën shkruhej në mediat kryesisht britanike.

Kuptohet, një fenomen si Hamiltoni nuk kishte se si të mos ishte temë e imja në bisedat me një prej shokëve të mij të ngushtë, Blerand Hasanajn.

Përderisa fanatizmin për autosport e kishim të përbashkët, Blerandi atë kohë kishte zgjedhur një karrierë të ushtarakut, në një kohë kur nuk dihej se çka do të bëhet me Kosovën si territor ose shtet, e lëre më me ushtrinë e saj.

Mirëpo, kur fillova të flas për Hamiltonin, përgjigja që mora ishte befasuese. Blerandi kishte ide tjera në kokë dhe me tregoi se “nuk po i përcjelli më garat. Dikur i këqyrsha se garonin shoferë më të vjetër se unë dhe gjithmonë më mbajke shpresa që do të mbërrij në F1 një ditë. Tash Hamiltoni është (19)85sh, e njëjta moshë me mua. Unë mendoj që e kam meritu së paku një shans në autosport, e ai po garon me Alonson për titull bote në sezon debutues. Diçka po kam problem me i pa njerëzit që janë moshë e imja në F1”.

Me aq sa merrja vesh dhe kisha mundësi, vazhdova të përcjelli Formulën 1, shkova ti përcjelli disa gara nga vendi i ngjarjes dhe mbahesha “në kondicion” me zhvillimet e reja edhe pse në gazetari kisha bërë edhe nderim të redaksive, edhe të emisioneve që i drejtoja dhe obligimeve me të cilat ngarkohesha.

Madje, në një garë ishim bashkë me Blerandin, dhe e mbaj më mend që nja 30 minuta pandërprerë shikonte në të njëjtën pikë të kthesës së parë në Istanbul Park, për të më treguar më pas se Hamiltoni e ka pikën e frenimit ndryshe nga Vetteli, por bolidi i Red Bullit është thjesht shumë i shpejt.

Pasi Blerandi doli nga akademia dhe jeta në kazermë, mori gradën e togerit në FSK, sërish temë ishte autosporti, por tashmë kishte ndërruar fokusi.

“Kam nevojë, nëse jo të tjerëve, së paku vetes t’ia dëshmoj se di me grahë kerr o burrë. Po më duhet me marrë pjesë në gara, edhe pse jemi të izoluar në Kosovë, edhe pse hillclimbi nuk është disiplinë e imja, edhe pse s’kam as pare, as sponsor. Thjesht më duhet të garoj pak, ta shoh ku jam”, fliste njeriu për të cilin e dija se është shofer i mirë, por kishte nevojë t’ia dëshmojë vetes.

Tash, nga detajet që përshkruajnë telashet e ndërskëmbëzat me njerëz të autosportit në Kosovë, rreziqet e garimit me Opel Kadett në Prevallë e Brezovicë, problemet me sponsorë, do të ju kursej, sepse me probleme të këtilla përballen shumë sportistë në Kosovë.

Detajet se si Lewis Hamiltoni e ka kaluar fëmijërinë e tij derisa u bë ngasësi i parë zezak në Formula 1, janë po ashtu të shkëlqyeshme dhe për to mund të lexoni nga njerëz që shkruajnë shumë më mirë se unë.

Në këtë shkrim, po shkoj fast forward nja 10 vjet dhe po vij në stadin ku Blerand Hasanaj është kampion i pesëfishtë i Kosovës në automobilizëm, fitues i çmimit Helmeta e Artë dhe i dëshmuar si ndër më të mirët që ka pasur Kosova ndonjëherë prapa timonit.

Krahas kësaj, nga e hëna në të premte, atij në punë i drejtohen me titullin Major Hasanaj, meqë me krenari e bartë këtë gradë në FSK, tashmë forcën që konsiderohet ushtri e Kosovës.

Ndërkohë Lewis Hamilton që nga 2007-a është bërë 6 herë kampion bote në Formula 1 dhe fare lehtë mund të ndodhë që ta përfundojë karrierën si shoferi më i mirë i të gjitha kohëve, duke thyer edhe rekordet e Schumacherit.

Hamilton përtej të qenit shoferi më i mirë i gjeneratës, është një ambasador i shkëlqyeshëm për autosportin gjithandej dhe një nga figurat më të respektuara në sportin modern.

Këta të dy “takohen” në kabinat e komentimit në Art Motion – Blerandi e komenton Formulën 1 në Kosovë, e Hamiltoni bën kërdi nëpër dynja.

Në komentimin e Blerandit kam shumë më shumë vërejtje, sesa në vozitjen e tij. Nëse shifrat e Hamiltonit e ilustrojnë madhështinë e tij si shofer, po ashtu i kam ca dyshime të miat.

Mirëpo, të dy këta individë, kanë shumë guxim, vetëbesim dhe motiv për gjëra të reja dhe zemër të madhe për gjëra të rrezikshme. Kjo nuk i mohohet asnjërit.

Mundësitë tona janë këto, edhe komentatorët, edhe sportistët, disi “me zor” i krijojmë dhe duhet tu japim kohë. Në anën tjetër angazhimi i tyre nuk përfundon në shteg të garave, po vazhdon edhe në mikrofon, në zyra e kudo që është e nevojshme. Këtë fundjavë, ishte gara kur Hamiltoni u shpall kampion dhe nuk duhet të jesh ekspert për të thënë se Kosova edhe shumë shumë gjatë nuk do të ketë gaures në Formula 1.

Mirëpo, autosporti ka nevojë pikërisht për këso njerëz – shumë të guximshëm, shumë të përkushtuar dhe në dukje “me nga një dërrasë mangut”, por ajo është aftësia për të parë një të dhjetën e sekondës, ose një mundësi, të cilën ne të tjerët nuk e shohim.