Trepça ’89 – Arbëria, është dashur ta hap sot kampionatin e ri, por vendimi i Qeverisë i mban pezull

Futboll 18 Shtator 2020 09:27

Trepça ’89 i ka bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur sot në Mitrovicë skuadrën e promovuar në elitë, Arbërinë.

Skuadra nga Mitrovica ua ka dhënë pushim futbollistëve të saj të enjten, ashtu siç praktikojnë klubet një ditë para ndeshjeve. Arbëria po ashtu është gati për udhëtimin e parë në Superligë.

Ndeshja Trepça ’89 – Arbëria është paraparë të jetë hapëse e edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll. Terminin e kësaj ndeshjeje dhe të tjerave, Federata e Futbollit e Kosovës bashkë me kompaninë që i ka fituar drejtat televizive, i ka caktuar të mërkurën. Por terminet e ndeshjeve nuk janë bërë publike në faqen zyrtare të FFK-së, që është në pritje të një vendimi nga Qeveria e Kosovës. Por vendim ende nuk ka, të paktën nuk ka pasur asgjë publike deri në orët e vona të së enjtes, raporton KOHA.

Në Federatë nuk kanë dhënë detaje. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, edhe të enjten ka thënë se janë në pritje të një vendimi të Qeverisë që lejon aktivitetet sportive. Njëjtë ka thënë edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ibër Alaj e po ashtu edhe klubet.

“Ende nuk janë konfirmuar, jemi në pritje. Asgjë zyrtarisht ende nuk na ka thënë askush nga FFK-ja. Jemi njoftuar që për të premten, por ende zyrtare nuk ka asgjë. Ne jemi në pritje të një vendimi zyrtar, çfarëdo vendimi që vjen nga FFK-ja ne e respektojmë dhe shkojmë sipas udhëzimeve të FFK-së”, ka thënë drejtori sportiv i klubit Arbëria, Labinot Gashi.

E njëjtë thotë edhe kryetari i klubit të 89-shit, Abedin Zeka.

“Federata ndoshta nuk ka faj, por duhet të bëjnë më shumë presion zyrtarët e saj. Ministria e Shëndetësisë në krye me Zemajn nuk e di se sa shpenzime ka klubi për një muaj për futbollistët. Nuk ka kuptim, derisa të gjitha lokalet lejohen me numër të madh e po ashtu Evropa është duke zhvilluar gara, është e pakuptimtë sesi bëjnë shaka me neve luhet nuk luhet. Federata na ka thënë se mund të ndodhë se ne kundër Arbërisë nesër (e premte v.j.) e kemi ndeshjen hapëse, por zyrtarisht ende asgjë nuk ka zyrtare. Dje (e mërkurë v.j.) na kanë lajmëruar dhe ne është dashur ta ndryshojmë sistemin e stërvitjes. Kemi bërë një stërvitje para ndeshjes, ashtu siç bëjmë rëndom. Nuk e dimë tash si është situata dhe a do të ketë ndonjë vendim”, ka thënë Zeka të enjten mbrëma për KOHËN.

-->