Trepça del me një njoftim për dy lojtarët e lënduar rënd mbrëmë

Superliga 08 Mars 2020 10:34

Dy hendbollistët e Trepçës Vaglir Buqinca dhe Alban Shabani kanë pësuar një lëndim të rëndë të shtunën në mbrëmje në duel me Prishtinën, për çka u desh me urgjencë të dërgohen në spital derisa ndeshja ishte ndërprerë për të vazhduar një ditë tjetër, shkruan Zëri.info.

Gjithsesi, KH Trepça tashmë ka dal me një njoftim duke treguar gjendjen e tyre e cila fatmirësisht ka nisur të përmirësohet.

Njoftimi i plotë i KH Trepça

Në këtë moment të vështirë për klubin tonë dhe për sportin mitrovicas, e ndjejmë obligim që të drejtohemi me një letër publike.

Në ndeshjen derbi ndaj Prishtinës, dy lojtarët tanë, Vaglir Buqinca e Alban Shabani, patën një moment të pafat. Nga një përplasje mes tyre, lëndime të rënda kanë pësuar si Vagliri ashtu edhe Albani. Intervenimi ishte i menjëhershëm dhe për fat gjendja e tyre shëndetësore është më e mirë tani. Vagliri e Albani kanë pësuar lëndime të qafës dhe të brinjëve dhe po iu nënshtrohen kontrollimeve tjera mjekësore. Më e keqja falë Zotit ka kaluar.

Ne si klub do t’iu qëndrojmë afër Vaglirit dhe Albanit, dy lojtarëve që kanë dhënë shumë për Trepçën e për qytetin.

Dhe sot, në një moment kaq fatkeq, kemi kuptuar edhe një herë për madhështinë e klubit Trepça. Por vlerën që Trepça ka si emër.

Interesimi për gjendjen shëndetësore të dy lojtarëve tanë ishte i jashtëzakonshëm. Kanë pyetur e kanë ofruar përkrahje nga të gjitha anët, nga Federata e Hendbollit të Kosovës dhe të gjitha klubet e hendbollit.

 

Sot e kuptuam edhe një herë se një Trepçë e fortë dhe e organizuar i duhet hendbollit kosovar. I duhet qytetit e vendit. Dhe me gjithë sfidat e rënda si kjo e sotme, ne nuk do të ndalemi. Do t’i kalojmë sfidat së bashku, bashkë edhe me Vaglirin e Albanin që së shpejti presim t’i kemi në mesin tonë. T’i kemi në stërvitje e në lojë. Ata e duan Trepçën, Trepça i do ata.

Jemi falënderues për të gjithë ata që na qëndruan afër në këtë moment të vështirë, që na thirrën e na shkruan.

Trepça ka shumë miq.

Ua kthefshim për të mirë.

-->