Trepça e Lipjani kthehen me fitore

Superliga 05 Dhjetor 2018 21:57

Basketbollistët e Trepçës e kanë “harruar” startin shumë të dobët që e patën në kampionatin e sivjetmë dhe sonte e kanë shënuar fitoren e 5-të. “Minatorët” fituan në udhëtim te Rahoveci me shifrat 86:82 dhe aktualisht gjenden në pozitën e katërt me 16 pikë.

Samir Zekiqi edhe sonte ishte në formë shumë të mirë dhe ndeshjen e përfundoi me 28 pikë të shënuara. Mark Doris me 18 e Besnik Azemi me 13 pikë po ashtu u dalluan me lojë të mirë te skuadra mitrovicase.

Në radhët e Rahovecit më efikasi ishte Frederic Richardson me 24 pikë, Arian Qallaku i shtoi 15 sosh, ndërsa James Stanback kontribuoi me 13 pikë.

Ndeshje me rivalitet shumë të madh ka qenë ajo ndërmjet Boreas dhe Lipjanit, të cilën mysafirët e kanë fituar me rezultat të ngushtë 77:75.

Musab Mala me 27 pikë ishte lider i Lipjanit, ndërsa pikë dyshifrore realizuan edhe Aleksander Dubivutskii (20) e Stacey Lambert 16.

Ndërsa, te skuadra pejane, Beq Kovaqi e Shpend Gashi ishin më efikasit me nga 21 pikë të shënuara.

Për Lipjanin kjo ishte fitorja e dytë në 11 ndeshjet e deritashme, ndërsa Borea ka bilanc prej 3 fitoreve e 8 humbjeve.

Rezultatet:
Rahoveci – Trepça 82:86
Borea – Lipjani 75:77
E enjte:
19:00 Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni
19:00 Bashkimi – Z Mobile Prishtina