Trepça – Rahoveci, dramë në “Minatori”, shikoni minutën e fundit

Superliga 10 Shkurt 2019 19:11

Ndeshja e javës së 18-të të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Trepçës e Rahovecit ka pasur përfundim dramatik, ndërsa fitores iu gëzua skuadra mysafire me rezultat maksimalisht të ngushtë 78:77.

Në sekondën e fundit të lojës, kur rezultati ishte i barabartë 77:77, ndërsa në sulm ishte Rahoveci, vendësit shkaktuan faul ndaj Deshon Jeffery Minnis, i cili e pati të drejtën e dy gjuajtjeve të lira, prej të cilave shënoi vetëm një herë, por që ishte e mjaftueshme për fitoren e “Vreshtarëve”.

Fredrik Boayd Richardson ishte më efikasi te Rahoveci me 22 pikë, i pasuar nga Deshon Minnis me 15 pikë.

Te skuadra vendëse më efikasi ishte Samir Zekiqi me 27 pikë, ndërsa Aaron Anderson i shtoi 19 sosh.

Për Rahovecin kjo ishte fitorja e 12-të në 158 ndeshje, ndërsa Trepça ka bilanc prej 8 fitoreve e 10 humbjeve dhe renditet në pozitën e 5-të.

Me shumë gjasë, lufta më e madhe deri në fund të sezonit të rregullt të kampionatit do të zhvillohet për pozitën e dytë, të cilën e synojnë Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci.

Pas përfundimit të ndeshjes, njerëz nga publiku kanë hyrë në fushën e lojës, por nuk ka pasur ndodnjë incident të rëndë.