Trepça synon ta njoftojë kampionin me humbje

Superliga 02 Shkurt 2018 14:34

Palestra “Minatori” pritet të jetë “e nxehtë“ të shtunën në mbrëmje, kur do të takohen rivalët e vjetër, Trepça e Sigal Prishtina.  Ndonëse as përafërsisht në nivelin që ishte pak vite më parë, përballja ndërmjet këtyre dy skuadrave llogaritet si kryendeshje e javës, kjo edhe për shkak të ambicieve të mitrovicasve, të cilët shpresojnë që sa më parë të futen në mesin e katër të parave, e më pas edhe të synojnë trofe.

Në anën tjetër, kryeqytetasit në 17 ndeshjet e para kanë shënuar po aq fitore dhe synojnë ta vazhdojnë këtë seri. Trajneri, Ilir Selmani, shprehet i matur para ndeshjes, duke theksuar se Sigal Prishtina gjithmonë mbetet rival i vështirë për t’u mposhtur.

“E rëndësishme është që në Mitrovicë është ringjallur basketbolli. Në dy ndeshjet e fundit si vendas i kemi pasur rreth 4.000 shikues dhe nuk ka dyshim që kundër Prishtinës palestra do të jetë e stërmbushur, që padyshim është përparësi për ne”, ka thënë Selmani, i cili më pas ka shtuar: “Pasi i rikthyem në skuadër lojtarët tanë: Imer e Arian Tahiri, Samir Zekiqi e Besnik Azemi si dhe përforcimet Jordan Reed e Malick London, mendoj se kemi fond solid të lojtarëve që na mundëson edhe rotacion, prandaj pres të tregojmë lojë të mirë dhe eventualisht të shënojmë fitore. Natyrisht që kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi Prishtina ka basketbollistë të mirë, të cilët luajnë një kohë të gjatë së bashku, por ne do hyjmë në ndeshje për të dhënë maksimumin, ndërsa fituesi është vështirë të parashikohet”.

Te kryeqytetasit mbretëron optimizëm për fitore, megjithëse janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë aspak lehtë. Kapiteni, Edmond Azemi, i cili vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm në kampionatin tonë, thekson se në “Minatori” do të jetë ndeshje e vështirë për skuadrën e tij. “Na pret një ndeshje e vështirë, sepse Trepça ka bërë përforcime si dhe do ta ketë përkrahjen e madhe të tifozëve të saj. Në anën tjetër, ne po luajmë me potencial krejtësisht vendor, por do të angazhohemi maksimalisht me synimin për ta vazhduar serinë e fitoreve”, është shprehur Azemi.

Ndeshja ndërmjet Trepçës e Sigal Prishtinës, zhvillohet të shtunën në Mitrovicë dhe fillon në orën 19:00.