Tri ndeshje pa fitore – vjen reagimi i Lampardit

Futboll 18 Gusht 2019 21:06

Frank Lampard është deklaruar pas barazimit 1:1 të Chelseat ndaj Leicesterit në ‘Stamford Bridge’.

Legjenda e klubit, tani trajneri i ‘Bluve’, ka thënë pas barazimit se tifozët duhet të kenë durim për rezultate të mira.

“Në 25 minutat e para luanim ashtu siç e kishim planifikuar, por pas kësaj nuk ishim aq mirë në zotërim”, ka thënë Lampard.

“Tifozët do të jenë të durueshëm me ekipin këtë sezon, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat tona, por nuk po bëj asnjë justifikim dhe dëshirojmë të bëjmë më mirë se sot”.

Trajneri anglez më tej ka folur edhe për ndjenjën e rikthimit në ‘Stamford Bridge’, duke e cilësuar si moment të veçantë për të.

“U ndjeva mirë. Ishte padyshim një moment i madh dhe i veçantë për mua. Thjeshtë realizim i ëndrrave dhe për mua një gjë e madhe. Unë sigurisht e vlerësoj atë por unë jam këtu për të bërë një punë dhe ne mund të bëjmë më mirë sesa kemi bërë sot”, ka shtuar më tej Lampard.

Chelsea pësoi humbje ndaj Manchester United 4-0 në xhiron e parë të zhvilluar në Old Trafford, më pas ishte humbja në penallti ndaj Liverpoolit në Superkupën e Evropës, dhe tani barazimi me ‘Dhelprat’.