Triumfi në Europa League vlen një mal me para për Arsenalin

Futboll 29 Maj 2019 11:58

Arsenali luan finalen kundër Chelseat këtë mbrëmje dhe natyrisht është në lojë një trofe me shumë rëndësi, por mbi të gjitha për Topçinjtë është në lojë edhe kualifikimi në Champions League, që Chelsea e ka arritur nëpërmjet kampionatit.

Kjo do të thotë që një sukses sot do të çonte në arkat e Arsenalit të paktën 90 milionë funte, edhe nëse Arsenali nuk do e kalonte fazën e grupeve në Champions sezonin e ardhshëm.

Është një ilustrim se sa e rëndësishme është për një klub pjesëmarrja në Champions League, në aspektin financiar, sepse Arsenali do të fitonte vetëm nga kualifikimi aty po aq sa ka arkëtuar këtë sezon duke përfshirë suksesin e mundshëm në finalen e Europa League.

Një triumf ndaj Chelseat bën që Arsenali të arkëtojë rreth 43 milionë funte, që do të shkonin në 47 milionë në rast fitoreje në finalen e Superkupës kundër Liverpoolit ose Tottenhamit më 14 gusht, në Stamboll.

Ndërkaq, thjesht kualifikimi për në grupet e Champions League do ta dyfishonte atë shifër, duke llogaritur pjesëmarrjen, pagesat për koeficientin UEFA dhe më shumë se 20 milionë funte nga e drejta televizive.